Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen nëse duhet aplikuar për ndarje nga Maqedonia e Veriut për negociatat me BE-në
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pyetjen e 11-të të Këshillimit Kombëtar.
Pyetja e 11-të ka të bëjë me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetjen drejtuar qytetarëve.
Pyetja ka edhe një pjesë shpjeguese ku theksohet se, “një shtet anëtar i BE-së ka çështje të pazgjidhura dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, prandaj bllokon me veto në Këshillin Evropian fillimin e negociatave për anëtarësimin e saj në BE, duke bllokuar edhe Shqipërinë, meqenëse aplikimet për të dyja vendet trajtohen si një dosje e vetme në tryezën e Këshillit Evropian. Në rast se edhe në përfundim të 6-mujorit të parë të vitit 2022 vetoja mbi Maqedonisë së Veriut nuk hiqet, Shqipëria duhet të kërkojë ndarjen e dosjes dhe trajtimin më vete nga Këshilli Evropian”.
Qytetarët kanë tri mundësi për të kthyer përgjigje për këtë pyetje.
“Ne duhet të kërkojmë që Shqipëria të vlerësohet ndarazi nga Maqedonia e Veriut; Ne duhet të vazhdojmë të presim heqjen e vetos mbi Maqedoninë e Veriut; Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”, janë mundësitë e përgjigjes për qytetarët.
Kryeministri Rama u shpreh se “kushdo dëshiron të marrë pjesë në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudo qoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, mund të japë opinionet e tij/saj duke klikuar si vijon; https://keshillimikombetar.al/”.
Fraksion.com