AktualitetBota+Të fundit

Rusia akuzon SHBA dhe NATO-n për përshkallëzim

Rusia i ka fajësuar SHBA dhe NATO-n për një përshkallëzim të rrezikshëm në konfliktin ukrainas. Zëdhënësi i Kremlinit Peskov kritikoi përqendrimin e trupave në shtetet lindore të NATO-s

 Dmitri Peskov, zëdhënësi i Kremlinit tha se lajmi i aleancës ushtarake të NATO-s për zhvendosjen e trupave në krahun lindor të NATO-s ka rezultuar në shtimin e tensionit. Ai më tej paralajmëroi për rrezik shumë të lartë të një ofensive ukrainase kundër separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.

Më tej Peskovi tha se nuk ishte Rusia burimi i tensionit, por fushata informative dhe histeria e SHBA dhe NATO-s. Ai iu referua gjithashtu dërgesave të armëve të Perëndimit në Ukrainë dhe tërheqjes së stafit të ambasadës nga Kievi, siç njoftuan Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Stoltenberg: “Forcojmë pjesën lindore të Aleancës”

NATO planifikon të vendosë trupa shtesë në Evropën Lindore. Disa shtete anëtare kanë sinjalizuar ditët e fundit se janë gati të përforcojnë trupat e tyre, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp të NATO-s. Për shembull, Franca bëhet e ditur se është e gatshme të dërgojë ushtarë në Rumani nën mbikëqyrjen e NATO-s, Holanda të dërgojë avionë luftarakë në Bullgari dhe SHBA po shqyrtojnë rritjen e pranisë së tyre në Evropën Lindore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e përshëndeti këtë. Ai tha se NATO do të mbrojë të gjithë aleatët dhe do të forcojë pjesën lindore të aleancës për këtë qëllim.

Në një reagim të parë, Rusia deklaroi se do të reagonte – “në mënyrë të duhur” në rast të rritjes së trupave.

Shtetet e Bashkuara shohin rrezik lufte

Ministrat e jashtëm të BE janë takuar në Bruksel për të diskutuar për situatën në Ukrainë. Pak para takimit, i Ngarkuari për Politikën e Jashtme të BE, Josep Borrell, e bëri të qartë se BE – në dallim nga SHBA – nuk dëshiron t’i tërheqë familjet e stafit diplomatik nga Ukraina në këtë kohë. Për sa kohë vazhdojnë diskutimet diplomatike me Moskën, nuk ka shkak për dramatizim, tha ai. Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, është i lidhur në mënyrë digjitale me konferencën.

Qeveria e Kievit e kritikoi lëvizjen amerikane, duke e konsideruar atë të parakohshme. Ministria e Jashtme në Berlin kishte deklaruar së fundmi se stafi i ambasadës gjermane nuk do të reduktohej. Ndërkohë, BBC raportoi se Britania tashmë kishte filluar tërheqjen e stafit të ambasadës.

“Ngacmim, keqtrajtim, shantazh”

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka urdhëruar anëtarët e familjeve të stafit të ambasadës në Kiev të largoheshin nga Ukraina. Përveç kësaj, mund të largohen gjithashtu nga vendi pjesëtarët e ambasadës, qëndrimi i të cilëve nuk është absolutisht i nevojshëm, bëhet e ditur. Duke pasur parasysh rrezikun e ndërhyrjes ushtarake ruse, të gjithë qytetarët e tjerë amerikanë në vend duhet të shqyrtojnë mundësinë që të bëjnë të njëjtën gjë.

Departamenti i Shtetit bëri thirrje gjithashtu që të mos udhëtohet në Rusi për shkak të tensioneve kufitare me Ukrainën. Ekziston rreziku i ngacmimit, keqtrajtimit dhe shantazhit, veçanërisht për shkak të zbatimit arbitrar të ligjeve nga policia ruse.

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken tha se Rusia dëshiron të destabilizojë Ukrainën në mënyrë që të përmbysë qeverinë. Ministria e Jashtme britanike tha gjithashtu se kishte shumë prova se Moska po përpiqej të vendoste një udhëheqje pro-ruse në Kiev./dw

 

Fraksion.com