Rama: Brenda 22 shkurtit shpërndahen pyetësorët e Këshillimit Kombëtar
Kryeministri Edi Rama tha sot se shpërndarja e plotë postare e pyetësorëve të Këshillimit Kombëtar parashikohet të realizohet deri në 22 shkurt, ndërsa përfundimet e këtij procesi do të dalin mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha se, “ka pak ditë që ka nisur procesi i shpërndarjes me postë të pyetësorëve të Këshillimit Kombëtar. Pjesëmarrja përmes pyetësorëve online në përmbledhjen ditore të orës 20:00 të ditës së djeshme ka arritur shifrën shumë inkurajuese për kaq pak ditë 23 456 qytetarëve. Ndërkohë do të nisë këto ditë në çdo bashkie dhe vendosja e pikave publike të Këshillimit Kombëtar”.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se “shpërndarja e plotë postare e pyetësorëve parashikohet të realizohet deri në 22 shkurt me dërgimin në çdo familje të një pyetësori, i cili është menduar të lehtësojë pjesëmarrjen e personave më të moshuar ata mund ta mbushin dhe ta rikthejnë atë me postë pa asnjë shpenzim. Ndërkohë anëtarët e tjerë mund të përdorin lehtësisht rrugën digjitale, siç edhe po ndodh në një proces që është i bazuar tërësisht mbi anonimitetin e pjesëmarrësve për të shmangur çdo lloj abuzimi dhe spekulimi të modës së fundit mbi të dhënat personale”.
Prandaj, vijoi Rama, zarfet që shkojnë në çdo shtëpi janë pa emër, ndërsa sistemi i mbledhjes në rrugë digjitale të tyre nuk kërkon identifikim te pjesëmarrësve.
Kryeministri Rama sqaroi se në sistem ka algoritime që identifikojnë dhe skualifikojnë mbushjen në mënyrë abuzive të formularëve me të njëjtën pjesëmarrje.
“Ruajtja 100% e anonimitetit të çdo pjesëmarrësi në këtë praktikë të re demokratike të bashkëqeverisjes përtej partive politike ka qenë për këtë herë prioriteti numër një më tutje kjo eksperiencë e parë do të na mësojë si të veprojmë në herët në vijim”, tha Rama.
Rama theksoi se “hapja e këtij procesi kaq të gjerë mbi çështje të cilat ne na mjaftojnë kartonat në Kuvend apo kompetencat vendimmarrëse të qeverisë ka një domethënie përveçse të qartë edhe të madhe sepse ky proces kërkon të dëshmojë vetëdijen tonë demokratike se për vendimet e hedhura për këshillim nuk mjafton bindja jonë as mandati ynë krejt legjitim për të marrë mendime, por duhet dhe opinioni i publikut të gjerë. Këtu vjen edhe ana tjetër e medaljes së këtij procesi popullor zgjerimi i harkut të dëgjimit tonë matanë llogores partiake, përtej kampit tonë politik duke marrë edhe opinionin e atyre që nuk janë votuesit tanë”.
Sipas Ramës, si çdo gjë e re ky proces mund të ketë pikëpyetjet dhe të metat e veta, ashtu sikundër mund të ketë edhe kundërshtitë përkatëse dhe racionin e vet të baltës.
Por, tha Rama, besoj fort se asnjë pikëpyetje, as në të metat e natyrshme e as në kundërshtitë me gjithë baltën e pritshme, nuk e ul vlerën e këtij investimi që është një investim politik strategjik në ne funksion të fuqizimit të lidhjes së punës sonë me njerëzit e zakonshëm si dhe të përpjekjes të domosdoshme për të kapërcyer një epokë të zymtë ndasish dhe sherresh partiake, të cilat kanë infektuar mbarë popullsinë.
“Duke shkuar drejtpërdrejt tek njerëzit jo vetëm për fushata zgjedhore apo takime të njëanshme politike mes dy palë zgjedhjesh, por për të diskutuar pa dallime politike vendime me rëndësi strategjike për vendin duke garantuar të gjithë edhe ata që për shkak të përkatësisë politike të ndryshme nga e jona kompleksohen apo ngurojnë që përmes anonimitetit të japin mendimin e tyre si qytetarë ne japim një mesazh të ri shqiptarisë, qytetarisë dhe njerzillëkut për tu ngritur mbi batakun e luftërave ndërpartiake të pafundme dhe të padurueshme e që e kanë bërë politikën gogolin e vetes”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se i japim vetes me këtë nismë një mundësi të re për t’u afruar më shumë me njerëzit pa i ndarë në llogore, kampe,nëpër krahë, pa i dalluar si të majtë që duhen afruar dhe të djathtë që duhen larguar, por duke bashkuar zemrat, mendjet, duke bashkuar forcat tona me të tyre si shqiptarë, si qytetarë si njerëz dhe t’i japim një shans të ri vetë politikës, e cila ka lindur si mundësia e vetme që kanë njerëzit për të diskutuar e zgjidhur probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë”.
Kryeministri Rama kërkoi nga deputetët e Partisë Socialite të anagazhohen për të inkurajuar sa më shumë përfshirjen e qytetarëve në Këshillin Kombëtar.
“Kërkoj nga ju sot që të angazhoheni shumë seriozisht në çdo komunitet, për ta inkurajuar sa më shumë përfshirjen e qytetarëve në Këshillin Kombëtar për të dalë nga rrathët e mbyllur të partisë sonë për të krijuar rrathë debati me palët e interesuara, sipas çështjeve me palët, grupet e interesuara një pas një në të gjithë radhën e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar. Shpërndarja e plotë e pyetësorit derë më derë parashikohet deri më 22 shkurt, gjë që e bën realist objektivin e nxjerrjes së përfundimeve të tij mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit dhe kjo mund të përkojë me kohën kur mund të mbledhim kongresin e partisë”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “në mbledhjen e fundit të kryesisë dhe me nxitjen e ministres së Shëndetësisë, duke parë dhe numrat e infektimeve vendosëm ta spostojmë nga data 29 janar drejt një date mes fundit të marsit dhe fillimit të prillit. Nëse do të shpalosim në kongres përfundimet e Këshillimit Kombëtar do të jetë një vlerë e shtuar për punimet e kongresit, por pa diskutim nuk duhet e nuk do të hedhim asnjë hap të nxituar për këtë arsye”.
“Është hera e parë që e bëjmë Këshillimin Kombëtar dhe do të mësojmë sa më shumë nga kjo herë e parë në mënyrë që vitin e ardhshëm ta përgatisim më mirë dhe parashikojmë më lehtë si kohë. Është një ndërmarrje jo e lehtë, por po t’i japim vëmendjen dhe përkushtimin e duhur, pa e kushtëzuar me asgjë tjetër përveç se përmbushjen sa më të plotë që ka ky proces, besoj që do të marrim një rezultat të kënaqshëm për ne edhe për pjesëmarrësit në të edhe bindës njëkohësisht për dobinë e këtij ndërveprimi që tejkalon politikën banale të ditës”, tha kryeministri Rama.
Fraksion.com