AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Biden takim me udhëheqësit evropianë për rrezikun e pushtimit të Ukrainës nga Rusia

Presidenti amerikan Joe Biden po takohet virtualisht të hënën me udhëheqësit kryesorë evropianë në lidhje me rrezikun e vazhdueshëm të një pushtimi të Ukrainës nga Rusia, ndërsa po shqyrton dërgimin e disa mijëra forcave amerikane në vendet balltike dhe në Evropën Lindore.

Presidenti Biden nuk ka vendosur ende nëse do të dislokojë paisje dhe personel ushtarak amerikan më pranë territorit të Rusisë.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do t’i zhvillonte biseda nga dhoma operacionale e sigurisë së lartë e gjendur në Shtëpinë e Bardhë, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kryeministrin italian Mario Draghi, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Presidentin polak Andrzej Duda dhe Kryeministrin britanik Boris Johnson.

Më herët të hënën, NATO tha se ka vënë në gjendje gatishmërie trupat e saj dhe po dërgon anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërkohë që Pentagoni tha se ka vënë deri në 8,500 trupa në gatishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë, nëse aleanca e NATO-s aktivizon një forcë të reagimit të shpejtë.

Njoftimi nga Pentagoni, i bërë i ditur nga zëdhënësi John Kirby, është sinjali më i fundit i vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara në kushtet e grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Zoti Kirby qartësoi se ende nuk ishte marrë një vendim nëse do të dërgoheshin trupat./voa

 

 

Fraksion.com