AktualitetBota+Të fundit

CDC: Vazhdon përhapja e Omicron-it në SHBA, vaksina mjeti më i mirë mbrojtës

Një studim i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se varianti Omicron vazhdon të përhapet me shpejtësi dhe marrja e dozës përforcuese është mbrojtja më e mirë kundër virusit. Shumë spitale në të gjithë vendin po raportojnë një rritje të rasteve me COVID-19 dhe shumë punonjës shëndetësor thonë se janë të mbingarkuar dhe kanë nevojë për më shumë ndihmë.

Në një kohë kur lufta kundër koronavirusit vazhdon, numri infeksioneve po bie ose ka arritur kulmin në më shumë se gjysmën e vendit, përfshirë pjesën verilindore të vendit.

Por situata është ende kritike në disa shtete dhe shumë spitale vazhdojnë të jenë të mbingarkuara.

Një nga shtetet më të goditura nga koronavirusi tani është Uiskonsini, i cili ka numrin më të lartë të infeksioneve për banor.

“Nëse gjatë këtyre ditëve ju rrëzoheni në akull ose keni infarkt, ne nuk kemi shtretër në dispozicion për këto lloj incidentesh. Të gjithë shtretërit janë të zënë nga pacientët e infektuar me COVID-19. Pacientët presin me ditë të tëra në urgjencë”, thotë infermierja Ashley Golz, e cila punon në Spitalin Mercyhealth në Janesville.

Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 18 milionë raste të reja vetëm në muajin e fundit, më shumë se çereku i numrit total të rasteve të konfirmuara me COVID-19 të raportuara që nga fillimi i pandemisë.

Por miliona amerikanë janë ende të pavaksinuar.

“Të pavaksinuarit kanë gati katër herë më shumë gjasa për t’u infektuar dhe 53 herë më shumë gjasa për të vdekur nga koronavirusi në krahasim me personat që kanë marrë vaksinën. Këto janë shifra të larta”, thotë Dr. John Brownstein nga Spitali i Fëmijëve në Boston.

Të premten një gjykatës federal në Teksas lëshoi një vendim kundër zbatimit të një udhri të administratës së Presidentit Biden që e bën të detyrueshëm vënien e maskës dhe marrjen e vaksinës kundër Covid-19 për punonjësit federalë.

Përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë tha se “vaksinimi është mjeti ynë më i fortë kundër koronavirusit”.

Departamenti i Drejtësisë planifikon të apelojë vendimin e gjykatësit.

Nga ana tjetër administrata e Presidentit Biden thotë se në ditët e ardhshme maskat falas N-95 nga qeveria federale do të jenë të disponueshme në farmacitë dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Ndërkohë tashmë ka filluar dërgimi i testeve falas për Covid-19, që mund të kryen në shtëpi.

 

Fraksion.com