Peleshi: Shqipëria, mision kyç për ruajtjen e orientimit strategjik Euro-Atlantik ne rajon
Shqipëria ka mision kyç, jo vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, por edhe orientimit strategjik Euro-Atlantik në rajon. Kjo u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë, ku u takua me homologun e tij, Lorenzo Guerini.
Në qendër të diskutimit të dy ministrave të mbrojtjes ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në këtë fushë, i cili ndër vite rezulton shumë intensiv. Nga ana e tij, ministri Peleshi e falenderoi përzemërsisht homologun Guerini për mbështetjen e pakushtëzuar të Italisë për Shqipërinë, në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Zoti Peleshi falenderoi Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, z. Guerini për mbështetjen që Italia i jep Kosovës si edhe për kontributin e Forcave të Armatosura Italiane në KFOR. “Kosova mbetet interes kombëtar për Shqipërinë, e cila tashmë me statusin e vendit anëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023 do të lobojë fuqishëm në rritjen e numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj!”.
Ministrat e Mbrojtjes të Italisë dhe Shqipërisë ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit dypalësh rreth sfidave të mbrojtjes kibernetike, apo edhe në fushën e arsimit apo trajnimit, për të cilat ministri Peleshi tha se hapin mjaft dritare mundësish për personelin shqiptar. Dy ministrat ranë dakord gjithashtu të zgjerojnë marrëveshjen aktuale në fushën e mjekësisë ushtarake. Teksa e falënderoi për mikpritjen, ministri Peleshi e ftoi homologun e tij për një vizitë në Shqipëri.
Fraksion.com