DW; Erdogan në Tiranë: Godisni FETO që marrëdhëniet tona të mos errësohen
Presidenti turk, Erdogan përfundoi vizitën zyrtare në Tiranë dhe veç inagurimit të apartamenteve la pas vetes një pritshmëri të qartë: Të merren masa të shpejta kundër gülenistëve.
Gjatë 12 orëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, (09.30-21.30) u nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi përfshirë ato në fushën e medias, zbatimit të ligjit, emergjencave civile dhe kulturës. Erdogan inaguroi kompleksin me 522 apartamente të reja në bashkinë e Kurbinit, qarku i Lezhës , të prekur rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, të financuar nga Turqia me një fond prej 42 milionë eurosh dhe siguroi për një rol konstruktiv të Turqisë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Erdogan: Marrëdhëniet me Shqipërinë – më të qëndrueshmet në Ballkan
Inagurimi i 522 apartamenteve të reja është pjesë e konkretizimit të zotimit të Turqisë, në konferencën ndërkombëtare të donatorëve, më 17 shkurt 2020 në Bruksel për të mbështetur me 1 miliardë euro rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti, strehuar mijra njerëz të mbetur pa banesa, rindërtuar godina publike, shkolla dhe spitale. Turqia rezulton vendi me donacionin më të lartë për rimëkëmjen e Shqipërisë nga tërmeti i sipërpërmendur. Në një deklaratë në prag të vizitës në Tiranë, presidenti turk Erdogan i vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë, “një nga më të mirat dhe më të qëndrueshmet në Ballkan”. Ai theksoi se në Shqipëri operojnë “600 kompani turke, janë punësuar 15 mijë shqiptarë duke e bërë Turqinë investitorin dhe partnerin e saj më të madh tregtar.”
“Lidhjet mes dy vendeve janë në nivelin e partneritetit strategjik. Synojmë ta ꞔojmë në 1 miliardë dollarë vëllimin e tregëtisë dypalëshe. Në Shqipëri Turqia ka investuar 3,5 miliardë dollarë,” theksoi ai në deklaratën e tij. Me një fond prej 40 milionë euro qeveria turke po ndërton në qëndër të Tiranës, në një sipërfaqje prej 6 mijë metrash katrorë “Xhaminë e Namazgjasë,” një nga më të mëdhatë në Ballkan.
Kërkesa: Godisni FETO në Shqipëri, që marrëdhëniet tona mos të errësohen
Zotimin për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë presidenti turk Erdogan e kushtëzoi në Tiranë, të hënën (17.01), me goditjen e elementeve të organizatës së njohur me inicialet FETO, të drejtuar nga Fetullah Gülen, kundërshtari politik i presidentit Erdogan dhe të klasifikuar si organizatë terroriste pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, ku u vranë mbi 300 vetë dhe u plagosën rreth 2.100 të tjerë.
Lëvizja güleniste duket se ka ende kolegje private në Shqipëri, të ngritura me fondet e klerikut Fetullah Gülen të fokusuara në matematikë, shkenca dhe predikimin e një islami tolerant dhe reformator. Pas grushtit të shtetit, kur presidenti Erdogan vizitoi Tiranën 6 vjet më parë, ai u kërkoi autoriteteve të saj t’i godiste këto kolegje duke i mbyllur dhe dorëzuar mësuesit gülenistë. Kërkesa u përsërit me forcë edhe gjatë vizitës së djeshme në Tiranë. “Fakti që FETO është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri”, tha presidenti turk Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.
Në fjalën përshëndetëse që ai mbajti në mbrëmjen e të hënës, në seancën e parë parlamentare të këtij viti, Erdogan shkoi më tej kur theksoi se ” ꞔështjen e FETOs e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen.”
Roli i Turqisë në rajon
Kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp që “roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe pa diskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Turqia është një valvul e pazëvendësueshme për BE”, theksoi Rama duke zhvleftësuar opinione të studiuesve dhe politologëve lidhur me përpjekjet e Turqisë për të fituar influencë politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Erdogan iu referua rolit që luan Turqia si vend anëtar i NATO-s kur tha në konferencën e përbashkër për shtyp se Turqia „ do të vazhdojë të bëjë detyrat siç ka bërë deri tani. Për Ballkanin është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria. Turqia do të bëjë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, për të siguruar dhe garantuar një të ardhme paqësore.”
Fraksion.com