Shifra të reja për vdekjet gjatë protestave në Kazakistan
Gjatë trazirave në Kazakistan janë vrarë më shumë njerëz sesa që mendohej deri tani. Në vend ka shpërthyer edhe një betejë e fuqishme për pushtet.
Më 9 janar flitej për 164 të vdekur. Autoritetet tani thonë se numri i të plagosurve ka shkuar ndërkohë në rreth 4.600 – dy herë më shumë sesa që thuhej një javë më parë.
Goditja kundër klanit të ish-presidentit
Ndërkohë janë shkarkuar dy dhëndërr të ish-presidentit Nursultan Nazarbayev nga postet e drejtuesve të kompanive të mëdha energjetike: Dimash Dosanov ka dhënë dorëheqjen si kryetar i kompanisë së transportit të naftës KasTransOil, ndërsa Kakirat Charipbayev si kryetar i kompanisë së gazit KasakGas. Fondi shtetëror i ish-republikës sovjetike, të pasur me burime nafte, nuk dha asnjë informacion të mëtejshëm.
Pushimet nga puna tregojnë për një luftë të ashpër për pushtet që ka rezultuar edhe me protesta të dhunshme. Shkak për këtë në fillim të janarit ishte rritja e lartë e çmimit të gazit, i cili përdoret për karburantin e makinave. Protestat më vonë u përshkallëzuan në demonstrata antiqeveritare dhe trazira në të gjithë vendin. Më shumë se 20.000 njerëz thuhet se janë përfshirë në demonstrata, ndërsa më shumë se 10.000 janë arrestuar.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev i ka quajtur trazirat si një “tentativë për grusht shteti nga forcat terroriste”. Ai u dha urdhër forcave të tij të sigurisë që të qëllojnë kundër demonstruesve pa paralajmërim. Tokayev fajësoi edhe disa kompani për këto protesta, përfshirë edhe KazakGas.
Përplasjet e ashpra
Tokayev mori postin e presidentit në vitin 2019 nga Nazarbayev, i cili sundoi Kazakistanin në një mënyrë autoritare për tre dekada. Transferimi i pushtetit fillimisht dukej i suksesshëm. Por gjatë trazirave, Tokayev ishte kthyer kundër ish-mentorit të tij me fjalë jashtëzakonisht të ashpra. Ai akuzoi Nazarbayevin, për të cilin thuhet se ka ende ndikim të madh në vend, se favorizon një elitë të pasur. Shefi i inteligjencës Karim Masimov, një i besuar i afërt i Nazarbayevit është larguar nga detyra dhe është arrestuar me dyshimin për “tradhti të shtetit”.
Ditët e fundit situata në Kazakistan është stabilizuar si rezultat i një operacioni ushtarak të udhëhequr nga Rusia dhe Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Në Kazakistan janë dërguar trupa nga Rusia, Bjellorusia, Armenia dhe vendet e Azisë Qendrore, Taxhikistani dhe Kirgistani. Ato kanë nisur tërheqjen ditën e enjtje ndërsa deri të mërkurën duhet të përfundojë misioni ushtarak./DW
Fraksion.com