AktualitetBota+Të fundit

KQZ i përgjigjet presidentit Meta: 3 vakanca në pushtetin lokal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një shkrese zyrtare i ka kthyer përgjigje presidentit, Ilir Meta, i cili kërkoi informacion në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të bashkive.

KQZ informoi Presidentin se bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se nuk ka dijeni për bashki të tjera, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

“Me vendimin nr.1001, datë 1.11.2019, “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik, Agim Ymer Kajmaku, me funksion kryetar i bashkisë Vorë, qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, apo ushtrojnë funksione publike”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të Bashkisë Vorë, qarku Tiranë, Agim Ymer Kajmaku. Për sa i përket vakancave të tjera të krijuara në disa bashki për shkaqe të përcaktuara në nenin 61, të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në dijeni zyrtarisht për 2 prej tyre. Me shkresën nr. 14170, prot. Datë 16.8.2019 të protokolluar në KQZ, Valdrin Pjetri kandidati fitues për kryetari i bashkisë Shkodër, para marrjes së detyrës, ka vënë në dijeni KQZ për dhënien e dorëheqjes nga marrja e detyrës. Dionis Imeraj, kryetar i bashkisë Dibër, ka depozituar pranë KQZ-së dokumentacionin e kandidimit si deputet për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, pjesë e të cilit është edhe kërkesa e tij për dorëheqje për shkak të kandidimit. Referuar neneve 61 dhe 62 të ligjit nr.139/2015 Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave, nëpërmjet prefektit, për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, ndërsa shkarkimi i kryetarit të bashkisë, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Për raste të tjera të vakancave të krijuara, KQZ nuk është vënë në dijeni dhe brenda kompetencave të veta, ju vë në dispozicion informacionin e saktë vetëm për sa është në fushën e vet të përgjegjësisë ligjore”, thuhet në shkresën e përcjellë presidentit nga KQZ.

 

Fraksion.com