AktualitetPolitikëTë fundit

“Kjo është detyra që mund të bëjë një vëlla i madh”, Lindita Nikolla tregon bisedën me Erdogan për rindërtimin e banesave në Laç

Kryetarja e Kuvendit dhe deputetja e zonës së Lezhës, Lindita Nikolla ka folur në përurimin e banesave të reja të ndërtuara nga Turqia pas tërmetit të 26 nëntorit duke shprehur falenderime për qeverinë turke që i financoi.

Nikolla tregoi bisedën që bënë aso kohe me Erdogan për projektin madhor të rindërtimit të lagjes së re me 524 apartamente. Në takimin që patën për t’i shprehur mirënjohje për solidaritetin, presidenti turk iu përgjigj: Kjo është detyra që mund të bëjë një vëlla i madh”.

Teksa Nikolla tregoi këtë bisedë, të gjithë të pranishmit në Laç e duartrokitën.

“Fjala ime është e mbushur me peshën e emocioneve që kam përjetuar këto kohë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pas rindërtimit. Sigurisht përjetimet e mia nuk ka të krahasuar me përjetimet e familjarëve që humbën shtëpitë, por kanë qenë të mbushur me përgjegjësinë që ju të ktheheshit në shtëpitë tuaja një orë e më parë.

Për këtë nuk di nga t’ia filloj se janë aq të shumta ngjarjet. Janë shumë dhe do të duhet një kohë e gjatë për të folur. Të flas për lotët apo vrapin e Majlindës teksa rendte tek secili prej familjeve për t’iu ardhur në ndihmë, por këtë e keni parë me sytë tuaj. Të flas për takimet dhe telefonatat me shumë burra dhe gra që i kishte kapluar dyshimi se nuk do të ktheheshin në shtëpi të reja, por edhe për këtë ja ku është përgjigja, flet vetë kjo lagje tashmë.

Të vijojmë me cajin e bisedat me drejtorin e kantierin teksa çdo ditë prezantonte ritmin e punimeve. Vendosa ta filloj nga kjo e fundit. Në fund të dhjetorit pata nderin të takohesha me presidentin Erdogan, së bashku me një grup nga Parlamenti i Shqipërisë, pjesë e së cilës ishte dhe Shpresa, deputetja e Kurbinit.

U përpoqëm maksimalisht në atë takim të ngrohtë për të shprehur të gjithë mirënjohjen për atë që po ndodhte se ishte shprehje e solidaritetit dhe miqësisë së ngushtë mes dy popujve tanë. Midis fjalëve tona, presidenti na u përgjigj thjesht: “Kjo është detyra që mund të bëjë një vëlla i madh”.

Sot presidenti Erdogan është këtu për të parë nga afër punën e kryer por edhe për t’ju uruar të gjithëve ju hyrjen në shtëpinë e re. Mirënjohje zoti President, faleminderit nga zemra.”, tha Nikolla.

 

Fraksion.com