AktualitetPolitikëTë fundit

Inaugurohet ‘Sheshi Erdogan’ në Laç

Sheshi pranë pallateve të rindërtuara në Laç, nga qeveria turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 mban që sot emrin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në ceremoninë e përurimit të sheshit në Laç ishin të pranishëm Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, Kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, qytetarë, etj.

“Lagjja e ndërtuar në Laç nga themelet me mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2016” , shkruhej ndër të tjera në pllakën e vendosur në sheshin që mban emrin e Erdogan.

Lagjja e rilindur pas tërmetit në Laç u rindërtua nën kujdesin e posaçëm të Presidentit  Erdogan.

Erdogan tha sot në Laç se “Turqia do të vijojë të qëndrojë përkrah Shqipërisë duke e mbështetur atë në çdo sfidë të saj”.

Ndërkohë  Bashkia e Kurbinit i ka akorduar titullin ‘Qytetar Nderi’ Presidentit turk Recep Erdogan. Kryebashkiakja Majlinda Cara tha se ky titull iu akordua Erdogan me motivacionin për solidaritetin dhe ndihmën e dhënë nga qeveria e tij në ‘ditët më të vështira’.

“Këshilli Bashkiak akordon titullin më të lartë që një bashki jep, Qytetar Nderi i Kurbinit’. Me motivacionin për solidaritetin dhe ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit”, tha ajo.

 

Fraksion.com