Greqi: Të pavaksinuarit mbi 60 vjeç përballen me gjoba
Greqia e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për personat mbi 60 vjeç, pasi mesatarja e vaksinimit mbetet nën atë të Bashkimit Evropian.
Personat e kësaj grup-moshe, që nuk vaksinohen, do të përballen me ndëshkime, duke nisur nga 50 euro në janar dhe 100 euro pas atij muaji.
Rreth dy të tretat e popullsisë greke prej 10.7 milionë personash janë të vaksinuar plotësisht, përderisa mesatarja e Bashkimit Evropian është mbi 70 për qind.
Shkalla e vdekjeve dhe hospitalizimit është rritur pas përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris, ka thënë se gjobat do të mblidhen nga zyra e taksave dhe paratë do të shfrytëzohen për të financuar spitalet shtetërore.
“Faktori i moshës është i rëndësishëm për shkak të ndikimit në sistemin publik shëndetësor”, ka thënë Plevris.
Vaksinimi i detyrueshëm për punëtorët e kujdesit shëndetësor ka nisur të zbatohet vitin e kaluar.
Pas 1 shkurtit, certifikata e vaksinës për të rriturit do të skadojë pas shtatë muajve, nëse nuk merret doza përforcuese e vaksinës./rel
Fraksion.com