AktualitetRajoniTë fundit

Gjokoviq rrezikon edhe pjesëmarrjen në French Open

Tenisti Novak Gjokoviq të hënën arriti në Serbi, pasi një ditë më parë u dëbua nga Australia për shkak se nuk ishte i vaksinuar. Vendimi i autoriteteve ia shuajti shpresat që të mbrojë titullin në turneun Australian Open. Por, Gjokoviqi rrezikon që të mos marrë pjesë as në turneun French Open.

Dëbimi i Gjokoviqit nga Australia i dha fund një beteje ligjore mes tij dhe këtij shteti, që nxiti debat lidhur me vaksinimin kundër koronavirusit. Megjithatë, debati ende vazhdon nëse ai do të lejohet që të marrë pjesë në turneun e radhës, French Open.

Avioni me të cilën udhëtonte tenisit serb nga Dubai arriti në Beograd të Serbisë. Dhjetëra tifozë, që valëvisnin flamuj të Serbisë, e pritën atë në aeroport.

Gjokoviq ka argumentuar pranë një gjykata australiane se atij do të duhej t’i lejohej qëndrimi në këtë shtet sepse së fundmi ai është infektuar me koronavirus, duke shtuar se infektimi i mundësonte përjashtim nga rregullat strikte të vaksinimit.

Por, autoritetet australiane, duke u thirrur në interes të publikut, ia anuluan vizën, duke argumentuar se qëndrimi i tij në shtet do të nxiste ndjenjat kundër vaksinimit.

Turneu Australia Open nisi të hënën në Melburn, turne të cilin Gjokoviqi e ka fituar nëntë herë. Ai shpresonte që edhe këtë vit të fitonte, me qëllim që të arrinte 21 trofe të Grand Slam, që do të nënkuptonte se do të bëhej tenisti me më së shumti trofe në histori.

Edhe pse u largua nga Australia, tani janë ngritur pikëpyetjet nëse Gjokoviq do të mund të marrë pjesë në French Open. Deputeti i Parlamentit francez, Christophe Castaner ka thënë se sipas një ligji të ri, të gjithë personat e pavaksinuar nuk do të lejohen të marrin pjesë në salla sportive, restorante dhe në vendet e tjera publike dhe një masë e tillë do të aplikohet edhe ndaj sportistëve që duan të garojnë.

Franca tha se do t’ia ndalojë pjesëmarrjen në turneun Franch Open, që mbahet në maj dhe qershor, pas miratimit të ligjit të ri.

“Ky ligj do të zbatohet për të gjithë, për tifozët dhe sportistët”, tha Ministria e Sportit e Francës, duke shtuar se gjendja me pandeminë mund të ndryshojë deri atëherë.

“Do të shohim, por qartazi nuk do të ketë përjashtime”, tha ministria./rel

 

Fraksion.com