AktualitetTë fundit

Erdogan, Qytetar Nderi i Kurbinit, Cara: Mirënjohës për ndihmën në ditët më të vështira

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara i dorëzoi sot titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kryebashkiakja Cara tha se ky titull iu akordua presidentit Erdogan me motivacionin për solidaritetin dhe ndihmën e dhënë nga qeveria e tij në ditët më të vështira.

“Këshilli Bashkiak akordon titullin më të lartë që një bashki jep, “Qytetar Nderi i Kurbinit’. Me motivacionin për solidaritetin dhe ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit”, tha ajo.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Cara theksoi në fjalën e saj gjatë ceremonisë së shpërndarjes së 522 apartamenteve në Kurbin të ndërtuara nën kujdesin e veçantë të Presidentit turk Erdogan, se kjo lagje do mbetet simbol i miqësisë e solidaritet mes dy popujve miq që dinë të shtrijnë dorën e të qëndrojnë krah për krah edhe në ditët më të vështira.

“Për mua e banorët e Kurbinit është nder e privilegj të mirëpres sot në Laç, presidentin në këtë kompleks të rindërtuar nga themelet mbi gërmadhat që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Nuk di nëse do gjej dot fjalët e duhura për të shprehur gjithë mirënjohjet e falenderimet popullit turk, Presidentit Erdogan, kryeministrit turk. Në emër të qytetarëve që përfaqësoj, banorëve të kësaj lagje të re ju falënderoj për gjithç bujarinë e solidaritetin e treguar në ditët tona më të vështira. Para syve tanë ishte panorama e atyre pak sekondave të natës së 26 nëntorit që kishte shkatërruar atë që ishte ndërtuar me mund e sakrificë për vite me radhë. Sot pas 2 vitesh është momenti t’i lëmë pas krahëve ato ditë e të themi që u goditëm fort u rrëzuam por ditëm të ringrihemi edhe më të fortë”, tha Cara.

 

Fraksion.com