Dorëzohen çelësat e banesave të reja në Laç, Rama: Erdogan i jep kuptim fjalës vëllazëri
Në qytetin e Laçit u zhvillua sot ceremonia e dorëzimit të çelësave për banesat e reja, të rindërtuara nga qeveria e Turqisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në ceremoninë e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç, ishin të pranishëm presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ministri i Shtetit, Arben Ahmetaj.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama duke falënderuar Presidentin Erdogan për ndihmën në rindërtimin e banesave të reja në Laç tha se “nuk është e lehtë në diplomacinë e sotme që të gjesh njerëz që “Po”-në e kanë “Po” dhe “Jo”-në e kanë “Jo”.
“Këtu mund të shikohet kur presidenti Erdogan thotë që Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë më dhemb edhe mua. Mustafa Kemal Ataturku mbolli në shpirtin e Turqisë moderne frymën se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e atij trupi. Ai tha se nuk mundet kurrë të themi çfarë rëndësie ka për ne që një pjesë e këtij trupi është e sëmurë, për sa kohë që ne nuk jemi sëmurë. Nëse një pjesë e këtij trupi është e sëmurë ne duhet të shqetësohemi sikur të ishim ne të sëmurë. Këtë frymë Erdogan e ka rrënjosur thellë në shpirtin e Turqisë, në qasjen e Turqisë në mënyrën sesi Turqia e shikon botën dhe miqtë e saj”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kuptimi që ai i jep me vepra jo vetëm me fjalë fjalës vëllazëri është mishërimi i asaj që thotë Profeti Muhamed “Paqja e Zotit qoftë mbi të”.
asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllain e vet atë që dëshiron për veten e vet”.
Duke sjellë një tjetër episod gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me ministrin e ngarkuar për Rindërtimin në Shqipëri, Muratin, Rama tha se “në Turqi ra një tërmet, të gjithë këtu u alarmuan se tani i ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe Presidenti Erdogan do harrojë rindërtimin këtu. Unë i thashë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht ti bëjë të dyja, por edhe nëse nuk do të kishte mundësinë Erdogan nuk do ta linte punën këtu për të shkuar për të bërë punën atje, sepse e përsëris sepse kjo është shumë e rëndësishme për mua. Erdogan jo vetëm thotë atë që beson por edhe e bën realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e profetit,
nuk beson nëse nuk i dëshiron vëllait tënd të njëjtën gjë i dëshiron vetes tënde”.
Kryeministri Rama në fund të fjalimit falënderoi një nga punonjësit e kompanisë turke që rindërtoi shtëpitë në Laç, Servetin, duke theksuar se “Serveti është shëmbëlltyra e njeriut të punës që ka farkëtuar gjithë politika e presidentit të Turqisë. Për më tepër Serveti e ka çuar vëllazërinë një hap më tutje, e ka tejkaluar edhe Presidentin sepse djalin e ka martuar me një shqiptare”.
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan i dorëzuan çelësat e shtëpive të reja disa familjeve, shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Banorët që morën çelësat e banesave të reja falënderuan presidentin e Turqisë Erdogan për ndërtimin e shtëpive të reja.
“Ju falënderojmë nga zemra, jetë të gjatë dhe sukses në jetën tuaj”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor u shpreh se “në këto kujtoj dy vite më parë kur ne laçianët endeshim të tronditur, të trishtuar, pa shpresë, pa ëndrra. Pikërisht në këto momente Kryeministri ynë Edi Rama na dha forcë sepse kishte mik Presidentin e Turqisë, Erdogan. Shqiptari di ta vlerësojë të mirën, nuk harron as miqësinë, as dashurinë e popullit turk”.
Pas dorëzimit të çelësave presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama dhe të pranishmit në ceremoni prenë shiritin e përurimit të pallateve të reja në Laç.
Fraksion.com