Bardhi, kërkesë për informacion bashkisë së Tiranës për projektin e Kullave tek PD-ja
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka drejtuar një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”.
Në një deklaratë për mediet, Bardhi thekson se “në 13 janar të këtij vitit media bëri publike një ide projekt ku parashikohej ndërtimi i tre kullave, pikërisht në territorin ku ndodhet selia qendrore e Partisë Demokratike”.
Bardhi i kërkoi bashkisë Tiranë që t’i vihet në dispozicion një informacion i plotë dhe i detajuar se kur është dorëzuar zyrtarisht projekti “Four Freedoms Park” pranë bashkisë dhe kush kanë qenë propozuesit/financuesit e këtij projekti.
Po ashtu, Bardhi kërkoi të vihet në dijeni nëse ka pasur gjatë ditëve të fundit një përpjekje nga propozuesit e projektit apo persona të tjerë për riaktivizimin e këtij projekti; cila ka qenë procedura e ndjekur nga bashkia Tiranë lidhur me trajtimin e këtij projekti; a ka pasur një prezantim të këtij projekti pranë zyrave të bashkisë Tiranë, nëse po, kush kanë qenë pjesëmarrësit privatë dhe institucionalë gjatë këtij prezantimi; kujt i është njoftuar ky projekt deri më tani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së kërkoi të dijë nëse ka pasur një vendimmarrje lidhur me këtë projekt dhe nëse po të vihen në dispozicion të PD-së, aktet përkatëse, duke sqaruar edhe cili është statusi aktual i këtij projekti dhe nëse sipas rregullave në fuqi të planifikimit të territorit a lejohet ndërtimi në zonën e propozuar.
“Na vini në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese”, theksoi Bardhi.
Fraksion.com