Rama: “Micro Folie” hapësira më e re kreative në Tiranë, afron të rinjtë me teknologjinë dhe artin
Hapësira më e re kreative “Micro Folie”, afron më shumë të rinjtë dhe fëmijët me teknologjinë dhe artin.
Ky projekt, dedikuar industrisë kreative është krijuar në Francë dhe hapi sonte siparin në Tiranë si Kryeqyteti Europian i Rinisë, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, si dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se “Micro Folie” përfshin muze digjital, laborator dhe lojëra me qëllim informimin, edukimin dhe argëtimin e fëmijëve dhe të rinjve me artin vendas dhe botëror.
“Kjo strukturë e cila vjen nga Franca, ku ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Francë, duke iu krijuar mundësi fëmijëve e më të rinjve të vizitojnë kryeveprat e artit botëror dhe ato që gjenden në muzeumet e Francës, përmes një vizite dixhitale, e cila sjell te fëmijët dhe më të rinjtë ato të cilat jo të gjithë kanë mundësi t’i vizitojnë edhe në Francë, jo më ne që jemi larg që aty”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se do të krijohet një zinxhir hapësirash, strukturash të tilla, ku bashkë me mundësinë e vizitës dixhitale, në korridoret më të magjishme të artit të përfshihet dhe mundësia për të bashkëvepruar për të gjitha këto mikroaktivitete që gjenden në të gjitha këndet e saj e që krijojnë një mundësi të re shoqërizimi dhe ndërveprimi për fëmijët dhe më të rinjtë.
“Ne po punojmë paralelisht me strukturat e “Micro Folie” të sjellim edhe një risi tjetër me ministrinë e Kulturës që është risia e një autobusi të madh lëvizës për spektakle në komunitete, që çon në komunitete operan, muzikën, teatrin, veprat, duke i bërë më të aksesueshme për njerëzit në komunitet. Së shpejti do të sjellim autobusin e parë, por jo të vetmin. Besoj se do t’i japim një shtysë gjallërie hapësirës mes fundit të mësimit dhe vajtjes në shtëpi, kohës së lirë që kemi vendosur ta mbushim me sa më shumë aktivitete për fëmijët dhe më të rinjtë“, u shpreh kryeministri Rama.
“Micro Folie” e parë është në parkun e Kryeministrisë. Duke qenë se parashikohet të ketë kërkesa të shumta, vizitat duhet të prenotohen më parë.
“Do të bëhet me rezervime që të jetë sa më e jetueshme në momentin kur vijnë fëmijët dhe t’u krijohet mundësia sa më shumë fëmijëve ta vizitojnë e të rikthehen edhe pasi ta kenë vizituar herën e parë”, u shpreh Rama.
Rama lajmëroi edhe hapjen e të tjera “Micro Folie” në Tiranë dhe qytete.
Kryebashkiaku Veliaj, nga ana e tij, u shpreh se si kjo qendër e parë që u hap në lulishten pas Kryeministrisë, do të ketë edhe të tjera në çdo cep të Tiranës.
“Që kur Kryeministri më tha përpara Vitit të Ri që kishte parë një koncept fantastik në Francë, ku praktikisht nga 5 kutiçka të vogla që mund të futen në një furgon hapet i gjithë ky ambient, si një tendë kryesisht për fëmijët që kanë dëshirë të merren me hapësirën digjitale, të shikojmë se si mund të bëjnë gjëra kreative me duart e tyre, me mendjen dhe fantazinë e tyre jam shumë i lumtur sot që arritëm ta sillnim këtë projekt nga Parisi në Tiranë. Micro Folie është ekzaktësisht ajo që ndoshta nuk e kemi në shtëpitë tona, ku shpesh herë na thonë: “mos e prek”, “mos e ngacmo”, “mos e prish këtë”! Këtu, në fakt çdo gjë lejohet. Kreativiteti, fantazia, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, përdorimi i mureve, printimi, qepja, të gjitha lodrat lejohen, ndaj dhe do doja shumë që ne këtë pilot të parë të cilin kryeministri insistoi ta bënim në zemër të Tiranës, ta trajtojmë si një histori suksesi që ne duam ta replikojmë edhe në Laprakë, Kombinat, edhe në Kinostudio, Sauk dhe në çdo cep të Tiranës e ndoshta edhe në çdo cep të Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.
Fraksion.com