AktualitetTë fundit

Rriten rastet e infektimeve; Komiteti i Ekspertëve nuk ndryshon masat

Dy javët e fundit në vendin tonë kanë shënuar pikun e pandemisë, por Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që masat antiCOVID nuk do të ndryshojnë. Komiteti Teknik i Ekspertëve apelon fort që qytetarët të respektojnë masat që janë në fuqi, të shmangim grumbullimet dhe mbajnë maskën mbrojtëse. Theksi kryesor i komitetit vendoset tek vaksinimi i popullsisë, ku deri tani është vaksinuar 38% e popullsisë

“Në popullatën target kemi vaksinim 52.7% me një dozë, 47.3% me 2 doza, 7.7% me 3 doza. Sa i përket popullatës në përgjithësi kemi 42.4% me një dozë dhe me të dyja dozat përreth 38%”, tha Silva Bino.

E pyetur nëse se në lokalet nuk respektohet distanca dhe janë plot, zëvëndësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha  se nga gushti 2021 deri më tani janë pezulluar 265 lokale për mosrespektim të masave anti-Covid, në mbi 16 mijë inspektime të kryera.

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka deklaruar se të shtruar në spital në forma të rënda janë kryesisht pacientë të pavaksinuar.

“Në spitalet COVID 1 dhe COVID 3 janë rreth 130 pacientë të shtruar sot që flasim, prej të cilëve 12% janë në formë kritike, 54% janë në formë të rëndë, pjesa tjetër janë në formë të mesme-të rëndë. Ajo që duhet vlerësuar është që janë mosha të reja të shtruara në spital dhe që janë të gjithë të pavaksinuar dhe që ka edhe nga ata që nuk kanë sëmundje kronike. Tek të shtruarit në tërësi mbizotërojnë personat që janë të pavaksinuar, por padyshim në spital ka një përqindje të ulët të personave që janë të vaksinuar me dozën e parë ose dozën e dytë”, tha Çomo.

Duke folur për situatën e shtrimeve të fëmijëve, Gjeorgjina Kuli, shefe e Pediatrisë Infektive në QSUT tha se, pavarësisht rritjes së infektimeve tek fëmijët, numri i hospitalizimeve në këtë grupmoshë mbetet i ulët.

“Megjithëse momentalisht, që nga fillimi i historisë së pandemisë, ndoshta kemi numrin më të madh të fëmijëve që rezultojnë pozitivë për infeksionin Sars-Cov2, reflektimi i kësaj situate në kushtet e hospitalizimit është i pakët. Numri i fëmijëve të hospitalizuar është pak a shumë i njëjtë. Gjithnjë mbetet 10-12. Aktualisht kemi 10 fëmijë të hospitalizuar me komplikacione të pakta dhe fatmirësisht nuk kemi asnjë rast fataliteti”, tha Kuli.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë u shënuar 1905 raste pozitive dhe 6 humbje jete. Gjithashtu nga 4 janari vaksinimi është bëri i detyrueshëm për administratë publik dhe punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare ose duhet të paraqiten me test negativ çdo 5 ditë.

Masat anti-COVID që janë në fuqi:

-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.

-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.

-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri  për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

 

Fraksion.com