“Nëse doni të flisni për sigurinë…”; Evropianët ndjehen të përjashtuar nga bisedimet SHBA-Rusi
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Gjenevë këtë javë mbi sigurinë e Evropës, në tryezën e bisedimeve mungonte Bashkimi Evropian, duke zhgënjyer zyrtarët në bllokut.
“Në këtë dialog nuk janë vetëm dy aktorë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Nëse doni të flisni për sigurinë në Evropë, evropianët duhet të jenë pjesë e bisedimeve”, u tha gazetarëve më 5 janar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Zoti Borrell i bëri komentet pas një vizite në vijën e parë të konfliktit në Ukrainën lindore, ku rebelët e mbështetur nga Rusia vazhdojnë të luftojnë forcat ukrainase gati shtatë vjet pas aneksimit me forcë të Krimesë nga Moska.
BE-ja është futur vonë në tryezën e bisedimeve, thotë analistja Liana Fix nga Fondi gjerman Marshall, me seli në Uashington.
“Problemi këtu është se Bashkimi Evropian nuk është përfshirë zyrtarisht në bisedimet e vitit 2014 kur filloi kriza në Ukrainë. Në atë kohë kishim Gjermaninë dhe Francën në formatin e Normandisë për bisedimet dhe asnjë përfaqësues zyrtar të BE-së”, tha analsitrja Fix për Zërin e Amerikës.
“Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian duhet ta bëjë të qartë se çfarë mund të kontribuojë në diskutim”, thotë ajo. “Brenda Bashkimit Evropian, pyetja është kush është më i fuqishëm, shtetet anëtare apo vetë BE-ja si institucion? Dhe nga ana tjetër, në Moskë BE-ja nuk merret seriozisht”.
Ekziston frika se lufta në lindje të Ukrainës mund të rifillojë. Në muajt e fundit, Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar frikë në mesin e vendeve perëndimore për një pushtim të afërt. Ndërkohë, Moska ankohet për një ngritje ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore dhe ka paralajmëruar për rreziqet e konfrontimit.
Këto tensione u bënë pjesë e përplasjeve diplomatike këtë javë. Por bisedimet dypalëshe SHBA-Rusi dhe samiti i së mërkurës midis NATO-s dhe Rusisë, takimi i parë i tillë në dy vjet, nuk duket se kanë sjellë përparim.
Mes një ndryshimi të rendit botëror dhe rritjes së tensioneve gjeopolitike, Franca po udhëheq një shtytje evropiane për atë që Parisi e quan “sovranitet strategjik” më të madh, pjesërisht e nxitur nga dyshimet rreth angazhimit të Amerikës ndaj NATO-s, që zuri rrënjë gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha këtë javë se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqej qëllimisht të anashkalonte BE-në.
“Ai nuk ka konsideratë për Bashkimin Evropian dhe është plotësisht i vendosur të përpiqet të dëmtojë unitetin evropian, i cili po forcohet”, tha Le Drian për kanalin BFM TV.
Moska synon gjithashtu të minojë aleancën transatlantike, thotë analisti Petro Burkovskiy nga Fondacioni i Nismave Demokratike me seli në Kiev.
“Rusia i përdor këto bisedime për të shkatërruar besimin midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë dhe po përpiqet të tregojë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të diskutojnë sigurinë e saj në Evropë dhe të diskutojnë politikën e saj në Evropë duke shmangur partnerët evropianë”, tha zoti Burkovskiy për agjencinë e lajmeveAssociated Press.
Pa forcën e vet ushtarake, Bashkimi Evropian si institucion mund të mos merret seriozisht nga Moska, por blloku mund të luaj një rol të rëndësishëm, thotë analistja Fix.
“Kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mendojnë tani për sanksione ndaj Rusisë në rast të një ndërhyrjeje, të një pushtimi të Ukrainës, Bashkimi Evropian do të duhet të dorëzojë një paketë sanksionesh ekonomike, për të cilën duhet të pajtohen të gjitha vendet anëtare.”
Ndërkohë, pas bisedimeve mes zyrtarëve të NATO-s dhe atyre rusë të mërkurën, Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, e cila kryesoi delegacionin e Shteteve të Bashkuara, tha se aleatët transatlantikë ishin të bashkuar.
“Mendoj se një nga gjërat që Rusia ka bërë, të cilën ndoshta nuk e priste, është se ajo ka bashkuar të gjithë Evropën, NATO-n dhe aleatët që nuk janë anëtarë të NATO-s, në përpjekjet për të ndarë të njëjtat parime, të njëjtat ambicie, të njëjtën shpresë dhe përkushtim ndaj diplomacisë”, u tha ajo gazetarëve./VOA
Fraksion.com