“Ka ardhur koha ta themi qartë”; Victoria Nuland: Përparimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm në një atmosferë të qetë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë publikoi sot një mesazh të Nënsekretares së Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland.
“Përparimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm në një atmosferë të qetë, jo të përshkallëzuar”, citohet nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland nga ambasada e SHBA.
Mesazhi i sotëm vjen pas intervistës së djeshme për Zërin e Amerikës të Zv/ndihmëssekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, i cili dënoi dhunën në protestën e organizuar më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa u shpreh se “është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë në kontroll një parti politike”.
“Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë në kontroll një parti politike. Ne e dënojmë këtë. Jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni tani”, tha Escobar.
Escobar tha se, “ne do të jemi shumë të angazhuar në proces, jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por në përgjithësi në rajon dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe për çështjet ekonomike”