AktualitetTë fundit

“109 Vjetori i Policisë së Shtetit”; Nano: Sytë dhe vëmendja e qytetarëve na motivojnë për të bërë detyrën sa më mirë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deklaroi sot në ceremoninë  e mbajtur me rastin e 109 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, se,”13 janari nuk është thjesht një datë, por në çdo rast ajo krijon një ngjarje të veçantë për ne, si pjesë përbërëse e Policisë, por edhe për mbarë komunitetin në të gjitha qarqet e Shqipërisë”.

“109 vite më parë, pikërisht më 13 janar të vitit 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, mori Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit (Policisë dhe Xhandarmërisë). Siç edhe koha e tregoi, kjo forcë u krijua nga njerëz jo vetëm që e donin këtë vend, por edhe besuan se fati i tij ishte dhe do të mbetej në duart dhe në vizionin e bashkëkombasve të tyre. Ata që e përfaqësuan denjësisht ndër vite këtë armë të rëndësishme, ishin njerëz dhe profesionistë me integritet të lartë moral dhe profesional, të cilët shkrinë jetët dhe vitet e tyre me rritjen vit pas viti dhe ekzistencën e Policisë së Shtetit Shqiptar. Kështu u ndërtua dhe vijon historia e armës së Policisë, e cila epokë pas epoke dhe rend pas rendi, ia doli mbanë të përvijojë rolin dhe praninë e saj në konsolidimin e shtetit, rendit, sigurisë dhe virtyteve humane e demokratike”, tha Nano.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Policia e sotme nga ajo e dikurshme ka ndryshuar tepër. Ky transformim nuk erdhi rastësisht dhe s’mund t’i përkasë inercisë. Ajo u farkëtua mbi përkushtimin, profesionalizmin, atdhedashurinë dhe sakrificat e disa brezave. Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë”, theksoi Nano.

“Policia e Shtetit është në krah të partnerëve, duke dhënë e duke marrë besim të ndërsjellë, e mbi të gjitha e barabartë. Ajo ka realizuar qindra operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Bazuar në këta tregues, Policia e Shtetit aderon në shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe të gjitha këto i ka fituar me shumë mund, përkushtim e vetëdije të plotë për protagonizmin e saj në shoqërinë e sotme”, u shpreh Nano.

“Historia 109-vjeçare e tregon qartë sakrificën e punonjësve të Policisë, pasi gjatë këtij rrugëtimi, Policia e Shtetit shënon edhe numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës. Në një datë si kjo, kur jo vetëm Policia e Shtetit, por mbarë vendi nderon rolin dhe kontributin e kësaj strukture të rëndësishme që synon e përpiqet të garantojë normalitetin në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë shoqërore, të gjithë përulemi para jetës dhe veprës së atyre që arritën të shmangnin apo të zvogëlonin pasojat e tragjedive në shoqërinë tonë”, tha Nano.

“Është datëlindja e Policisë së Shtetit, momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen e pakursyer, para emrave të atyre punonjësve të policisë, që qëndrojnë mbi kohën dhe jetuan fizikisht mbi këtë tokë, të cilët me kalimin e kohës, për ne kolegët dhe pasardhësit e tyre janë shndërruar në një dekalog që përfaqëson forcën dhe qëndresën gati mbinjerëzore në disa nga periudhat më kritike për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Nano.

“Një thënie e vjetër, gati sa historia e qytetërimit thotë se: “E gjithë jeta e njeriut është një udhë!” E pra, sot do të jenë disa udhë të tilla, që ne po i pagëzojmë me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme, gjurmët e të cilave drejtohen gjithmonë e më tepër nga e ardhmja.  Pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë, dhe kjo na jep një tjetër ndjesi e motivim.  Jo vetëm do të njohim e të kuptojmë përjetësinë e këtyre emrave, por me gjasë do të na duhet të shohim se ata më tepër se kushdo tjetër, do të vijojnë në një tjetër formë, misionin e tyre në komunikimin e përditshëm me qytetarët, duke qëndruar si etalone të kujtesës, në mbrojtje dhe edukimin e tyre me vlerat me të larta morale, qytetare e patriotike”,  theksoi Nano.

Nano shtoi se, “sytë dhe vëmendja e qytetarëve janë më së shumti të drejtuara nga ne, duke na qortuar për gabimet dhe duke na motivuar e shtyrë të reflektojmë për të bërë detyrën sa më mirë, që në rrugët e vendit të ketë sa më pak aksidente rrugore, sa më pak krime e sa më shumë siguri në shkolla, kopshte, parqe, lokale, banesa e kudo”.

Ndaj, theksoi ai, “le të punojmë me të gjitha mundësitë e kapacitetet tona, të mos e shpërdorojmë këtë besim dhe pa dashur të vrasim shpresën e së ardhmes duke treguar neglizhencë apo arrogancë. Është koha të fitojmë edhe më shumë vetëbesim e të reagojmë plot siguri e maturi që t’ju ofrojmë qytetarëve një shërbim sa më cilësor, të tregohemi humanë e social dhe me kulturë me qytetarët, por dhe të vendosur e të ashpër me shkelësit e ligjit. Vetëm kështu do t’ia dalim që brezat që do të vijnë, të na kujtojnë e respektojnë për vlerat që mundëm të krijonim, kontributin e sakrificat tona për të krijuar një të ardhme të sigurt për veten dhe fëmijët tanë”.

 

Fraksion.com