AktualitetPolitikëTë fundit

109-vjetori i Policisë, Rama: Respekt për të gjithë kontribuesit e saj

Kryeministri Edi Rama ka uruar 109-vjetorin e Policisë së Shtetit.

“Mirëmëngjes  dhe me përulje para kujtimit të dëshmorëve të saj si edhe respekt për të gjithë kontribuesit e saj, në këtë ditëlindje të Policisë së Shtetit, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Krijimi i Policisë shqiptare lidhet me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar (1912) kur më 13 janar 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, mori vendimin për krijimin e Forcave të Rendit.

Duke filluar nga viti 1991, pas futjes së Shqipërisë në rrugën e proceseve demokratike, kanë ndodhur disa ndryshime të rëndësishme në fushën e organizimit dhe ristrukturimit të Policisë Shqiptare.

Në vitin 1991, me krijimin e Ministrisë së Rendit Publik, policisë iu dha statusi i një institucioni më vete, ndryshe nga ç’ ishte më parë. Në një kohë të shkurtër u bënë ndryshime të shpejta të karakterit organizativ e ligjor të policisë si dhe u bë hapja e saj me botën.

Nga viti 1997 pranë policisë sonë operojnë edhe ICITAP (SHBA), INTERFORCE (Itali). Nga viti 1997 e deri në 2000 këto misione kanë kualifikuar mbi 4000 punonjës policie.

Misioni INTERFORCE ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme në krijimin dhe pajisjen e sallave operative dhe të autoptarullave Shqiponja.

Reforma në Policinë e Shtetit e inicuar nga Vendimi i Qeverisë nr.384, date 28.7.1999, përbën një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e policisë. Dokumenti bazë i hartuar në vitin 1999-2000 quhet “Strategjia e Reformës në Polici”. Kjo Strategji është afatmesme (2000-2003) dhe objektivat e saj janë: krijimi i një infrastrukture ligjore e nënligjore moderne; ndërtimi i strukturave eficiente të policisë; përcaktimi i standardeve të reja të rekrutimit, formimit e kualifikimit; forcimin e marrëdhënieve të policisë me komunitetin e administratën; bashkëpunimin me jashtë dhe ngritjen e standardeve të punës dhe teknologjisë të policisë.

Në memorien e historisë së Policisë Shqiptare janë fiksuar mjaft punonjës policie, të cilët janë bërë simbol sakrifice e vetmohimi në kryerjen e detyrës. Me aktet e tyre të trimërisë, Policia ka të skalitur edhe disa emra heronjsh e dëshmorësh që sot prehen të qetë në Altarin e Trimërisë.

 

Fraksion.com