AktualitetNATO/BETë fundit

Situata në Ukrainë, në qendër të bisedimeve NATO-Rusi

Rusia dhe NATO-ja po takohen të mërkurën në Bruksel në një përpjekje për uljen e tensioneve përgjatë kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës. NATO-ja kundërshton grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit, duke thënë se ato cenojnë sigurinë evropiane. Nga ana e saj, Rusia po kërkon garanci sigurie si kufizimin e zgjerimit të aleancës 30 anëtarëshe të NATO-s, duke argumentuar se anëtarësimi i një vendi si Ukraina në kufirin e saj, paraqet kërcënim.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, u tha gazetarëve para bisedimeve të së mërkurës se NATO-ja është e përkushtuar të shohë nëse diplomacia mund të shtendosë situatën dhe se temat e përgjithshme të diskutimit do të jenë rreth “uljes së rrezikut, transparencës, kontrollit të armëve dhe mënyrave të ndryshme me të cilat ne komunikojmë me njëri-tjetrin”.

Ambasadorja Smith shprehu solidaritetin e SHBA-së me Ukrainën, duke shtuar se “veprimet ruse e kanë nxitur këtë krizë” dhe aleatët e NATO-s janë të gatshëm të të pengojnë agresionin e mëtejshëm rus.“Nëse Rusia ndjek rrugën e konfrontimit dhe veprimit ushtarak, ne ia kemi bërë të qartë Kremlinit se do të përgjigjemi me vendosmëri, duke përfshirë një sërë masash ekonomike me ndikim të madh”, tha zonja Smith, duke theksuar se “si Aleancë, ne jemi të përgatitur të përforcojmë mbrojtjen e NATO-s në krahun lindor dhe jemi të përgatitur të imponojmë çmim të rëndë për agresionin e mëtejshëm rus në Ukrainë”.

Takimi i së mërkurës është e dyta nga tri mundësitë e kësaj jave, që diplomatët amerikanë dhe evropianë të flasin drejtpërdrejt me zyrtarët rusë për situatën në Ukrainë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë takohet të enjten në Vjenë.

Të hënën në Gjenevë, diplomatët amerikanë dhe rusë mbajtën takimin e parë, por të dyja palët lanë të kuptohet se nuk pati ndonjë përparim të madh. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se bisedimet në Gjenevë ishin “të hapura, gjithëpërfshirëse dhe të drejtpërdrejta”, një vlerësim i bërë edhe nga Uashingtoni. Por, ai tha se rezultati është ai që në fund të fundit ka rëndësi.”Deri më tani, le të themi se nuk shohim asnjë arsye të rëndësishme për optimizëm”, u tha gazetarëve zëdhënësi Peskov.

Victoria Nuland, nënsekretare e shtetit për çështjet politike, u tha gazetarëve të martën, se “nuk nuk kemi parë asnjë shenjë më të vogël të shtendosjes” nga ana e Rusisë, e cila tha ajo, “e krijoi këtë krizë” duke vendosur 100,000 trupa në kufirin lindor të Ukrainës.

Në bisedimet e Gjenevës, Rusia kërkoi garanci, të refuzuara nga Shtetet e Bashkuara, që NATO-ja t’i jap fund zgjerimit të mëtejshëm drejt lindjes dhe të frenojë vendosjen e trupave ushtarake në Evropën Lindore. “NATO-ja nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë. Është një aleancë mbrojtëse, qëllimi i vetëm i së cilës është të mbrojë anëtarët e saj”, tha zonja Nuland.

Aleatët perëndimorë kanë frikë se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën pas aneksimit të gadishullit të saj të Krimesë në vitin 2014. Rusia mohon se po planifikon të pushtojë shtetin që dikur ishte satelit i saj në periudhën sovjetike, por gjithashtu nuk ka rënë dakord me kërkesat e SHBA-së që të tërheqë trupat nga kufiri.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përjashtuar mundësinë e një konfrontimi ushtarak me Rusinë, në rast se ajo vendos të sulmojë Ukrainën, por thotë se SHBA-ja dhe aleatët e saj, do të vendosin sanksione të fuqishme ekonomike nëse ndodhë një gjë e tillë./voa

 

Fraksion.com