Rama: Gati, Urgjenca dhe blloku kirurgjikal në Spitalin Rajonal të Kukësit
Urgjenca e re dhe blloku i ri kirurgjikal në Spitalin Rajonal të Kukësit janë tashmë gati për të pritur pacientët me standarde bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Urgjenca e re dhe blloku i ri kirurgjikal, ndërsa vijon puna për transformimin e gjithë korpusit spitalor të Kukësit.
“Drejt përmbylljes një tjetër investim për modernizimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët. Gati Urgjenca e re dhe blloku i ri kirurgjikal në Spitalin Rajonal të Kukësit”, tha Rama.
Shërbimi i ri i urgjencës ofron standarde bashkëkohore, ndërkohë që ka përfunduar edhe investimi në bllokun e ri kirurgjikal. Njëkohësisht, po vijon puna e transformimit të gjithë korpusit spitalor.
Spitali i ri rajonal i Kukësit po kthehet në një strukturë moderne të shërbimit shëndetësor për banorët e qarkut verilindor.
Ndërtimi i spitalit po kryhet në dy faza me një vlerë totale 3 milionë euro.
Faza e parë përmbante ndërtimin e Urgjencës, rehabilitimin e ish-Urgjencës që kthehet në maternitet dhe 3 sallat e reja të Kirurgjisë me të gjitha pajisjet përkatëse. Në godinën e vjetër të spitalit nuk është investuar që nga viti 1947.
Fraksion.com