Mirlinda Çollaku: Ata në protestë nuk ishin demokratë, por mercenarë të paguar për dhunë e terror
Kryetarja e degës 2 në Tiranë, Mirlinda Çollaku, ka reaguar për atë që ndodhi më 8 janar në selinë e PD.
Ajo thotë se nuk e kishte menduar se në atë ditë do të përdorej dhunë. Çollaku nënvizon se brenda selisë së PD ditën e protestës kishte ulërima njerëzish e thirrje për dhunë që sipas saj nuk vinin nga demokratë, por mercenarë të paguar që kërkonin t’i tërhiqnin zvarrë.
Sipas saj, shumë anëtarët të PD janë ndierë të prerë në besë nga Berisha që i dërgoi në oborrin e PD, për t’u përplasur me demokratët.
“Kur kam dëgjuar Sali Berishën dhe Bujar Nishanin nëpër media të flisnin për dhunë, për marrje me dhunë të kësaj godine, kisha menduar se kjo gjë nuk do të ndodhte. Nuk e kisha menduar kurrë se ky do të ishte një skenar i mirëorganizuar dhe i qartë për të organizuar dhunë në datën 8 janar. Me shumë anëtarë të degës time që pas datës 9 shtator sigurisht kemi ndarë mendime të ndryshme, kemi pasur debate, por kurrë nuk jemi fyer, kurrë nuk jemi kërcënuar, kurrë nuk kemi lënduar njëri-tjetrin për çfarë kemi menduar ndryshe.
Ajo çfarë ndodhi në datën 8 janar, ku unë isha dëshmitare brenda kësaj godine, kishte thirrje për dhunë, kishte ulërima jashtë njerëzish që sigurisht nuk ishin demokratë, por mercenarë të paguar të cilët kërkonin të na tërhiqnin zvarrë. Kjo ishte një ditë e trishtë për Partinë Demokratike, kjo ishte një ditë e trishtë për demokratët. Fatmirësisht mbrapa asaj dite ka pasur shumë anëtarë të degës time të cilët më kanë telefonuar të shqetësuar, janë ndierë të prerë në besë nga Sali Berisha që i solli atë ditë në oborrin e PD-së për t’u përplasur me demokratët”, tha Çollaku.
Fraksion.com