Bühler: Baza amerikane në Shqipëri, dëshmi e angazhimit të SHBA-së në rajon
Ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Bühler, u shpreh sot se ngritja në Shqipëri e Shtabit Pararojë të Komandës amerikane të Operacioneve Speciale në Evropë, para së gjithash ka të bëjë me angazhimin e amerikanëve në rajon.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Bühler tha se “kjo ka të bëjë me trajnimin e forcave speciale”. “Sepse forcat speciale varen nga bashkëpunimi shumë i ngushtë shumëkombësh. Kanë nevojë për standarde të njëjta, me të cilat ato trajnohen, ushtrojnë dhe, nëse është e nevojshme, operojnë në misione. Forcat speciale janë njësi elitare që mund të përdoren në komando prapa vijës së armikut, për shembull për zbulim dhe për të luftuar objektivat e armikut me vlerë të lartë, si pozicionet e artilerisë dhe raketave. Gama e detyrave të tyre përfshin edhe shpëtimin e pengjeve dhe evakuimin e njerëzve në rast emergjence dhe arrestimin e kriminelëve të luftës dhe luftën kundër terroristëve”, tha ai.
Nuk mendoj, tha ai, “se në plan të parë është një interes i drejtpërdrejtë operacional”. “Para së gjithash ka të bëjë me trajnim, si edhe me angazhimin e amerikanëve në këtë rajon. Politikisht, ushtarakisht dhe strategjikisht, është e rëndësishme që t’u thuhet qytetarëve në Ballkan se jetoni në një zonë të rëndësishme që është me interes jashtëzakonisht të lartë për Amerikën, NATO-n dhe pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.
I pyetur se përse u zgjodh pikërisht Shqipëria, Bühler tha se “prej trembëdhjetë vjetësh, Shqipëria është një partnere e çmuar e NATO-s me shumë kapacitete që mund të sjellë në NATO”.
“Sigurisht që ka një interes për të vazhduar mbështetjen e Forcave të Armatosura shqiptare dhe trajnimin e aftësive të tyre. Së dyti, është e rëndësishme edhe që të ndihmohet trajnimi i vendeve të tjera të NATO-s në rajon – Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovenia. Kjo gjithashtu sinjalizon se SHBA-të janë të përkushtuara për paqen në Ballkan”, tha ai.
Bühler shtoi se “tani bashkëpunimi me vendet e NATO-s po bëhet edhe më i madh dhe kjo duket edhe me këtë seli, që do të ngrihet në Shqipëri”.
I pyetur nëse zhvillimet e fundit në Shqipëri mund të kenë luajtur rol në vendimin e amerikanëve, Bühler tha se “ngjarjet në politikën e brendshme dhe demonstratat, që mund të ndodhin herë pas here në çdo vend, nuk janë vendimtare për një vendim të tillë”.
Faktori vendimtar, sipas tij, “është trajnimi i forcave speciale dhe interesi i fortë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një të ardhme paqësor”. “Ngjashëm me trupën e KFOR-it në Kosovë: Ajo nuk është vetëm në Kosovë një garanci se ky vend nuk do të mbetet vetëm, por e rrezaton atë garanci në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ndërsa vlerësoi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, Bühler tha se “në Kosovë, shoh përparim të dukshëm në sektorin e sigurisë”. “Unë jam gjithmonë i lumtur kur shkoj në Kosovë dhe shoh se çfarë mund të bëjnë policët në të vërtetë. Kjo u pa gjatë verës së shkuar, gjatë operacionit policor për zbatimin e ligjit në veri. Në një rrugë tepër të suksesshme deri më tani ka hyrë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Nga ana ushtarake, shoh më pak sfida për të ardhmen”, tha ai.
Ajo që më shqetëson pak, vijoi Bühler, “është se retorika nacionaliste në Ballkanin Perëndimor nuk po zvogëlohet, por po rritet”.
“E kam fjalën kryesisht për ata që kërcënojnë se do të përdorin forcat e armatosura ose që duan t’i nxjerrin forcat e armatosura nga Federata, si dëgjohet në Bosnjë -Hercegovinë të nxitur nga disa politikanë nga Serbia. Mendoj se palët bëjnë mirë të ulen dhe të bisedojnë si kanë punuar politikanët këtu në Evropën Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe të nënvizojnë pajtimin dhe jo idetë nacionaliste. Por edhe pala evropiane duhet të bëjë më shumë, jo vetëm për të lehtësuar barrën e amerikanëve. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë më i shpejtë. Ky nuk është një akt bamirësie, por në interesin tonë të mirëfilltë”, tha ai.
Fraksion.com