AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Sistemi i ri i mbrojtjes kibernetike, vlerë e shtuar për NATO

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka si objektiv krijimin e Qendrës Kombëtare të Mbrojtjes Kibernetike, e cila do të jetë në shërbim të ushtrisë shqiptare por do të jetë njëkohësisht edhe një vlerë e shtuar për vetë NATO-n.

Kryeministri përshëndeti sot firmosjen në Tiranë, të marrëveshjes për forcimin e sigurisë kibernetike në vend me kompaninë “Jones International” drejtuar nga James Logan Jones Jr.

Kryeministri Rama vlerësoi se kjo marrëveshje synon ngritje në një nivel tjetër të gjithë kapaciteteve digjitale dhe sistemit të mbrojtjes kibernetike të Republikës të Shqipërisë.

Rama tha se “këtu nuk është thjesht çështja për të ndërtuar një sërë sistemesh sigurie, por për të ndërtuar një sistem tërësor sigurie që nga ana tjetër të ketë mundësi të ofrojë një vlerë të shtuar edhe për NATO-n”.

“Në kohën që jetojmë avantazhi apo shanci i vendeve më pak të zhvilluara është i panjohur në histori, i paparë dhe dëgjuar në histori, falë teknologjisë. Paradoksialisht, moszhvillimi i mjaftueshëm kthehet në avantazh dhe teknologjia në shanc për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme siç ndodhi me transformimin tërësor në shërbimet online në Shqipëri. Kjo do të mundësojë që këtë vit ne të bëjmë një ndërhyrje radikale në sistem, duke i mbyllur të gjitha sportelet fizike dhe duke u ofruar të gjitha shërbimet online. Marrëveshja e sotme do të sigurojë edhe një bazë të dhënash të garantuar të këtyre shërbimeve”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “sot jemi në një fazë të re të marrëdhënieve me SHBA dhe NATO”.

“Kemi disa investime të rëndësishme në infrastrukturën kritike dhe në aspektin strategjik ku hyjnë edhe investimet në fushën e mbrojtjes dhe në këtë aspekt ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi, për të adresuar dhe sfidën e madhe të ngritjes së një Qendre Kombëtare të Mbrojtjes Kibernetike”, tha Rama.

Kjo qendër, sipas tij, “do të jetë në shërbim të ushtrisë sonë dhe gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë”.

“Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme, por jemi të bindur se duke pasur edhe ndihmën, mbështetjen dhe eksperiencën e kurajon tuaj, ne do t’ja dalim të kemi një Qendër Kombëtare Sigurie Kibernetike, që të jetë edhe një vlerë e shtuar për vetë NATO-n, duke dhënë shërbime edhe përtej Republikës të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri iu referua po ashtu edhe ngjarjes së rrjedhjes së të dhënave të pagave të qytetarëve shqiptarë.

“Ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e të dhënave personale të pagave, një ngjarje nga ato që kanë ndodhur në të gjithë vendet edhe më të zhvilluara, por që na jep po ashtu edhe mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike prej të cilave duhet të jemi të mbrojtur, por edhe sulmet nga brenda, prej personash të infiltruar, të paguar, apo të papërgjegjshëm”, tha Rama.

Ndaj, vijoi ai, “e vlerësoj shumë aspektin e marrëveshjes sonë që ka të bëjë edhe me garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do të jetë shumë më i reduktuar”.

Po ashtu, Rama tha se “një sistem i tërë i rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore në gjithë rrjetin e njerëzve që merren me shërbime digjitale dhe mbrojtje kibernetike do të vihet në funksion”.

“Po ashtu, do të ketë programe të posaçme, që eksperienca juaj i disponon, për të siguruar se aftësia e çdo individi për të penetruar sistemin të jetë shumë e kufizuar. Sistemi do të ketë shumë mure mbrojtëse edhe nga ndërhyrja e individëve. Ky është një lajm shumë i mirë edhe për ata që u lënduan padrejtësisht nga dalja e të dhënave personale”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “dalja e të dhënave personale për pagat ishte një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq, pasi të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre një problem që sot e kemi më të lehtë se dje ta adresojmë, në aspektin e marrëdhënies ligjore e morale të kompanive me shtetin e punonjësit”.

“Ashtu sikundër gjithë qytetarët përjetuan edhe efektet negative të një sulmi mbi sistemin çka e bën marrëveshjen e sotme të mirëseardhur për ta. Jam i bindur se e shikojnë me lehtësim përfshirjen tuaj personale në këtë përpjekje të qeverisë shqiptare. Ju falënderoj për besimin e kurajon që na jepni dhe falënderoj ekipin tuaj që ka dëshmuar vlerën e dobinë e tij në asistencën që na ka dhënë për të qenë të mbrojtur në sistemet tona kritike të energjisë. Tani të bëjmë së bashku që në pak vite, ne të jemi krenarë për sistemin e mbrojtjes kibernetike që kemi si një vend që po zhvillohet me shpejtësi në aspektin e teknologjisë, por edhe vend i vogël por dinjitoz i NATO-s”, tha Rama, duke iu drejtuar James Logan Jones Jr.

Fraksion.com