Putin paralajmëron se trazirat dhe revolucionet nuk do të lejohen
Trazirat në Kazakistan e kanë ngritur botën në këmbë për ditë të tëra. Rusia ka dërguar trupat e saj atje me kërkesë të presidentit të Kazakistanit. Presidenti Putin dërgoi një paralajmërim të qartë.
Trazirat e fundit në Kazakistan nuk ishin përpjekja e parë e ndoshta as e fundit nga jashtë për të ndërhyrë në rajon, theksoi Putin. Ushtarët rusë u vendosën në Kazakistan për të parandaluar grupet e armatosura që të minonin pushtetin e qeverisë atje, tha Putin. Trazirat buronin nga forcat shkatërruese të brendshme dhe të jashtme. Ata që rrokën armët kishin qëllime të ndryshme nga ata që protestuan fillimisht kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Ushtarët rusë të dërguar atje nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në vendin fqinj, siguroi presidenti. Ata do të tërhiqen sapo të përfundojnë detyrën e tyre. Me kërkesë të presidentit të Kazakistanit Kassym-Shomart Tokayev, aleanca CSTO ka dërguar 2.500 ushtarë në vendin e Azisë Qendrore. Përveç Rusisë dhe Kazakistanit, aleanca përfshin Bjellorusinë, Armeninë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin.
“Tentativa për grusht shteti”
Në video-konferencë, presidenti Tokayev i përshkruan protestat e dhunshme në vendin e tij si një “grusht shteti në tentativë”, të cilin ata e kanë evituar. Kishte pasur sulme të planifikuara dhe të koordinuara në ndërtesat e autoriteteve rajonale, thonë autoritetet. Tani rendi është rivendosur. Por kërkimet për “terroristët” vazhdojnë. Në mesin e sulmuesve ishin gjithashtu edhe ekstremistët islamikë të trajnuar jashtë vendit. Tokaev siguroi se forcat kazake të sigurisë nuk do të “qëllonin kurrë” demonstruesit paqësorë.
Ish-republika sovjetike, e cila kufizohet me Rusinë dhe Kinën, ishte tronditur ditët e fundit nga përleshjet e paprecedenta midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Protestat, të cilat fillimisht u drejtuan kundër rritjes së çmimit të gazit, u zgjeruan në marshime proteste në të gjithë vendin kundër qeverisë. Përveç demonstratave paqësore, pati edhe trazira të dhunshme, veçanërisht në metropolin Almaty. Tokayev kishte fajësuar “terroristët” të trajnuar jashtë vendit për trazirat dhe lëshoi një urdhër për të qëlluar demonstruesit pa paralajmërim.
Konfuzioni rreth numrit të viktimave të trazirave vazhdon. Tokayev tha se u vranë 16 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Por nuk sqaroi sa civilë janë vrarë. Televizioni shtetëror foli për më shumë se 160 viktima të dielën, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë. Ky mesazh u fshi pas pak kohe, pa dhënë ndonjë arsye. Qindra njerëz u plagosën gjithashtu. Sipas autoriteteve, rreth 8.000 njerëz, duke përfshirë shumë shtetas të huaj, janë arrestuar deri tani./DW
Fraksion.com