Presidenti kazak paralajmëron tërheqjen e trupave të huaja
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka njoftuar se trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) do të nisin të largohen nga ky shtet brenda dy ditësh.
Kjo Organizatë drejtohet nga Rusia dhe përbëhet nga disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik.
Në një adresim televiziv para Parlamentit, më 11 janar, Toqaev ka thënë se trupat e Organizatës do të përfundojnë misionin për 10 ditë.
Trupat e Organizatës në fjalë kanë arritur në Kazakistan javën e kaluar, pas kërkesës së udhëheqësisë kazake për ndihmë, meqë Kazakistani përballej me trazira të dhunshme.
Toqaev po ashtu u ka thënë ligjvënësve se ka nominuar kryeministrin e ri, Alikhan Smailov.
Smailov, 49-vjeçar, ka shërbyer fillimisht si zëvendëskryeministër në kabinetin e kaluar, të cilin e ka shkarkuar Toqaev, ndërkohë që autoritetet kazake ishin duke u përballur me protesta të papara më herët.
Si pasojë e trazirave kanë vdekur të paktën 163 persona.
Pse kanë nisur protestat?
Toqaev, i cili ka fajësuar “agresionin terrorist” për trazira dhe ka thënë se protestat kanë qenë edhe tentime për puç, ka arritur të shfrytëzojë situatën për të konsoliduar pushtetin në këtë shtet të Azisë Qendrore, të pasur me naftë dhe gaz.
Ministria e Brendshme e Kazakistanit ka thënë më 11 janar, se forcat e sigurisë kanë ndaluar 9,900 persona, në lidhje me trazirat vdekjeprurëse.
Kazakistani është zhytur në krizë javën e kaluar, pasi protestat e nisura në rajonin Mangjstau, rreth rritjes së shpejtë të çmimit të gazit të lëngshëm, janë përhapur deri në Almati.
Ndonëse protestat kanë nisur si paqësore dhe janë zgjeruar nga pakënaqësitë tjera, ato shpejt janë shndërruar në dhunë, pasi turmat janë parë duke djegur ndërtesa publike dhe dyqane në Almati, kryeqytet komercial me 1.8 milion banorë, por edhe në vende tjera.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin pretendimet se terroristët, duke përfshirë “luftëtarë të huaj”, kanë qenë mbrapa protestave në këtë shtet autoritar.
As Qeveria nuk ka dhënë hollësi për natyrën e saktë të tentimeve për puç.
Toqaev: Po punojmë për stabilitet ekonomik
Disa dëshmitarë kanë thënë se marshet paqësore janë shfrytëzuar nga disa grupe të organizuara që kanë shkaktuar dhunë, derisa të tjerë kanë fajësuar forcat qeveritare për nxitje të dhunës.
Në rritje e sipër të krizës, Toqaev ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 5 janar dhe ka bërë thirrje që trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive të angazhonin trupa për të garantuar sigurinë.
Në të njëjtën kohë, ai ka shkarkuar kabinetin dhe ka larguar ish-presidentin, Nursultan Nazarbaev nga pozita e udhëheqësit të Këshillit për Siguri Kombëtare, një pozita e fuqishme, prej së cilës ai ka vazhduar të kenë ndikim të konsiderueshëm.
Toqaev ka shkarkuar edhe zyrtarë tjerë dhe disa janë arrestuar për tradhti.
Gjatë adresimit të tij para Parlamentit, Toqaev ka siguruar qytetarëve se ai është duke punuar për stabilitet ekonomik.
Ai ka urdhëruar Bankën Qendrore dhe agjencitë financiare që të garantojnë stabilitetin e tregut sa u përket këmbimeve, në mënyrë që të rritet besimi në monedhën vendase – tenge./rel
Fraksion.com