AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: “Udhëheqja e opozitës” po provokon një tension dhe pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka

Presidenti Ilir Meta deklaroi tha se, “asnjë demokrat nuk i meritonte ngjarjet e 8 janarit”.

I pyetur në një intervistë televizive për zhvillimet në PD, Meta tha se, “kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij. Për fat të keq, prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm”.

“Sot kemi disa deputetë të vërtetë opozitarë, zëri i të cilëve do të dëgjohet akoma dhe më shumë dhe Shqipëria do të ketë zhvillimet e saj pozitive demokratike pa asnjë diskutim”, theksoi Meta.

“Udhëheqja e opozitës” po provokon një tension dhe pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka. Sepse në demokraci autoriteti fitohet me votë. Konfirmohet me votë. Nuk fitohet me polici. Nuk fitohet me procedura. Çdo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike. Zgjidhja është vota”, tha Meta.

I pyetur se çfarë po ndodh me Partinë Demokratike, Meta u shpreh se, “ajo që po ndodh në PD është një gjë krejt pa kuptim. Kisha edhe dy pyetje të tjera për ju: Po ajo që ka ndodhur më përpara, çfarë ka qenë? Djegia e mandateve të opozitës? A ka qenë diçka normale apo ka qenë diçka që mund të ndodhë diku…? Çfarë ka qenë mospjesëmarrja në zgjedhjet e pushtetit vendor dhe sot opozita në Shqipëri nuk ka asnjë këshilltar në nivel vendor apo në nivel komunal? Pra ka shumë probleme serioze dhe mendoj se për fat të keq problemi kryesor ka qenë vetë çështja e lidershipit të opozitës që gjithmonë ka marrë vendimet më të gabuara”.

“Për fat të keq aktualisht është një situatë që nuk e meriton asnjë qytetar në Shqipëri për të parë ato  pamje. Asnjë anëtar i Partisë Demokratike, një parti e cila është shumë e rëndësishme për vendin tonë pasi është partia e parë produkt i demokracisë dhe i pluralizmit, por njëkohësisht është forca kryesore lëvizëse për të ndryshuar regjimin komunist, me merita të jashtëzakonshme në proceset demokratizuese, euro-atlantike të Shqipërisë. Dhe çfarë po ndodh? Po ndodh që nuk asnjë kuptim që në demokraci të injorohet vota. Është gjëja më normale që kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij, ashtu sikurse një kryeministër, të cilin e kundërshton një pjesë e grupit parlamentar që e ka votuar, që e ka zgjedhur, është i detyruar të rikonfirmohet. Shkelja e këtyre parimeve të demokracisë sigurisht që çon në situata të pakuptimta”, tha Meta.

“Megjithatë unë shpresoj që me mençuri dhe urtësi demokratë të mos jenë pre e padurimit, sepse në Shqipëri më vjen keq, më duhet ta them dhe po e them këtu meqenëse ju po këmbëngulni për të kaluar në zhvillimet atje: prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. Kjo gjë u kërkua kur u dogjën mandatet dhe ju e mbani mend se ishte ndërhyrja ime për të shmangur zgjedhjet e njëanshme partiake vendore, dhe për të caktuar një datë gjithëpërfshirëse ku të merrnin pjesë të gjitha forcat politike, ishte sepse qenë shfaqur mjaft tensione të pakontrollueshme dhe ju i keni parë ato shfaqjet e paarsyeshme të dhunës dhe premtimet se do të bllokoheshin zgjedhjet, votuesit. Besoj se ka qenë një nga aktet për të cilat unë jam krenar që kam ndërmarrë, sepse kam shmangur një dhunë, kam shmangur një përgjakje mes shqiptarëve, e cila nuk do të ndodhte rastësisht. Duhet të kemi parasysh që ishte kulmi i intensitetit të ndarjes së kufijve”, tha Meta.

“Mund t’ju them se zhvilimet në Shqipëri për fat të keq kanë qenë mjaft të ndërlidhura me zhvillimet në Kosovë. Me zhvillimet relativisht në rajon, por sidomos në Kosovë në kuptimin që Shqipëria në vend që të ishte më e bashkuar se asnjëherë tjetër, në të gjitha drejtimet, si institucione përkrah Kosovës në të gjitha sfidat që ka, ka pasur jo pak raste kur për fat të keq, përfaqësues të Shqipërisë kanë vendosur në pozitë të vështirë udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës dhe nuk kanë kontribuar në nxitjen e bashkëpunimit midis tyre. Dhe zhvillimet artificiale e konfliktuale në Shqipëri unë mendoj se e kanë burimin në një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga një problem i vërtetë që vjen në këtë rajon që e cenon herë pas here stabilitetin e tij, te probleme të brendshme në Shqipëri si dhe për të krijuar idenë se shqiptarët e kanë të vështirë të bëjnë demokracinë”, tha Meta.

“E kanë të vështirë për arsye, sepse nuk e kanë vlerësuar sic duhet rolin e tyre në demokraci. E kanë të vështirë, sepse kanë pritur gjithmonë zgjidhje nga jashtë, kur nga jashtë mund të vijnë edhe zgjidhje toksike. Dhe nuk ka mbizotëruar interesi kombëtar dhe publik në të gjitha aktet dhe vendimet e ndërmarra në përgjithësi nga politikanët tanë. Por unë besoj se gjërat në Shqipëri do të ndryshojnë pozitivisht. Është e vërtetë që pas 25 prillit është një situatë konfliktuale në partinë kryesore të opozitës. Por besoj se situata tashmë është më e qartë. Dikur nuk kishim fare opozitë, sepse opozita iku nga parlamenti, sepse opozita iku nga institucionet. Sot në çdo rast i kemi disa deputetë të vërtetë opozitarë, zëri i të cilëve besoj se do të dëgjohet akoma dhe më shumë dhe Shqipëria do të ketë zhvillimet e saj pozitive demokratike pa asnjë diskutim”, theksoi Meta.

“Dy vitet e fundit në Shqipëri ishte një parti, parti-shtet apo jo? Ishin 122 deputetë, të cilët ngrinin kartonin.  Për shkak të kësaj udhëheqjeje opozitare, nuk po themi opozita, se opozita meriton respekt në tërësinë e saj, që nuk jep një zgjidhje qytetare, demokratike, sipas statutit të tij, por provokon një tension të tillë dhe që pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka. Sepse në demokraci autoriteti fitohet me votë. Konfirmohet me votë. Nuk fitohet me polici. Fitohet me procedura. Çdo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike. Zgjidhja është vota”, u shpreh Meta.

I pyetur nëse fajin e ka Basha, Meta u shpreh se, “në mënyrën më absolute për dy aktet e para, përgjegjësia është e tij ekskluzive! Për djegien e mandateve të opozitës, sepse ka qenë kryetari i Opozitës. Edhe për çështje tjetër të pushtetit vendor, të bojkotit, sepse ka qenë vendimi i tij. Ai sot mund të thotë se kanë qenë vendimet e Berishës, por atëherë unë nuk e di se si mund të besohet sot, ne qoftë se ka qenë e vërtetë që ai ishte kryetari dhe vendimet i merrte Berisha, dhe po sot ai nuk zbaton vendimet e të tjerëve…, pra jo vendimet e tij??!! Këto të dyja në mënyrë të padiskutueshme. Dhe për bojkotin e reformës në drejtësi. Në opozitë. Është përgjegjësia e tij. Dhe për disa veprime të tjera. Se në qoftë se unë jam President, nuk mund t’ia vë fajin për ato që nënshkruaj dhe t’iu lë fajin këshilltarëve apo jo?”.

Duke folur për negociatat me Bashkimin Evropian, Meta tha se, “jemi në një rrugëtim të përbashkët me Maqedoninë e Veriut në drejtim edhe të procesit të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Prej vitesh fati i dy vendeve tona është i lidhur ngushtësisht dhe na duhet të bashkëpunojmë e të koordinohemi më mirë me njëri-tjetrin, me faktorë, jo vetëm me Bashkimin Evropian, por edhe përreth për të ecur me sukses në këtë rrugëtim tashmë të vonuar”, tha Meta.

 

Fraksion.com