AktualitetPolitikëTë fundit

“Dy kufomat e PD-së”; Rama: Berisha e Basha veç e veç s’kanë legjitimitet

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot realisht dramatike gjendjen ku ndodhet aktualisht Partia Demokratike.

Në një prononcim për medie nga selia e PS-së, Rama tha se Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë dy “kufoma politike” që kanë marrë peng demokratët dhe po kacafyten për interesa vetjake.

“Nuk më rezulton se ka pasur anëtarësi të kryesisë të PS që kanë synuar të marrin këtë godinë, apo që ne të kemi ndërtuar fortifikime për t’u mbrojtur prej tyre. Ne nuk jemi këtu në kacafytje për interesa vetjake, siç ndodh me të dyja kufomat e PD-së që kanë marrë peng të gjithë demokratët duke u kacafytur me njëri-tjetrin. Dhe është një kacafytje që bën që asnjëri të mos e lëshojë tjetrin se po ra njëri bie edhe tjetri”, shtoi Rama.

Ai tha se “njëri qëndron i mbyllur në selinë blu ndërsa tjetri i kyçur në listën e zezë”.

“Është moment shumë dramatik për demokratët. Uroj shumë që demokratët të dalin nga kjo situatë duke i kapërcyer të dyja këto kufoma dhe duke ecur para”, tha Rama.

Ndërkohë i pyetur mbi bashkëpunimin me opozitën, Rama tha se “gjithçka mbetet për t’u parë sepse nuk dimë kush është kush në këtë histori dhe kush e përfaqëson atë”.

“Sigurisht, të dy këta përfaqësues të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Sigurisht që deputetët e PD-së, pavarësisht njërit apo tjetrit prijës janë legjitim se janë aty me votën e popullit. Për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim e bashkërendim, ne jemi aty për ta bërë këtë”, tha Rama.

Ai theksoi se “situata është jashtëzakonisht e vështirë për momentin”. “Të shohim si do zhvillohet. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet nga ana tjetër të marrin fund. Por, janë dy anë të së njëjtës medalje”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri shtoi se Policia e Shtetit ishte në sfidën e vetë më të vështirë të këtyre 30 viteve.

“Kurrë më parë Policia e Shtetit nuk e ka pasur sfidën të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë. E ka ushtruar këtë detyrë me qetësi e profesionalizëm për t’u admiruar. Në fakt mund të lajmërohej më parë Policia e Shtetit për ta mbrojtur godinën dhe nuk do të kishte pasur dhunë. Faktikisht Lulzim Basha disa herë, në mënyrë të përsëritur dhe në vijim bëri atë që nuk mund të bëjë kurrë dikush që ka sensin e përgjegjësisë ndaj njerëzve, ligjeve të vendit, duke bërë fortifikime në vend që qartësisht të fliste për nevojën të mbrohej nga Policia e Shtetit. Duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ata faktojnë se janë të ngjashëm si dy pika uji. Dy kufoma politike, e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë”, tha Rama

 

Fraksion.com