Vdekja e 3-vjeçarit, flet Ministria e Arsimit!
Familjarët e 3-vjeçarit që ndërroi jetë në kopshtin privat “Flatrat e dijes” në Fier, akuzojnë edukatoren se ka gënjyer për rrjedhën e ngjarjes, duke e bërë kështu sipas tyre, të vështirë zbardhjen e së vërtetës.
Sipas dajës së 3-vjeçarit, familjarëve u rëndon fakti që kopshti është ende i hapur edhe pas ngjarjes së rëndë. Në një reagim nga Ministria e Arsimit, për Dritare.net, thuhet se çështja është në prokurori ndërsa grupi i kontrollit nga ana e ministrisë, po bën verifikimet për plotësimin e këtij kopshti, të ambienteve fizike ku qëndrojnë fëmijët!
“Çështja e fëmijës tashmë është në prokurori. Por ajo që bëjnë institucionet e varësisë së MAS (DPAP) është kontrolli i ligjshmërisë në çdo detaj që i përket arsimit dhe plotësimit të kritereve të ambientit fizik. Grupi i kontrollit tashmë është duke u marrë me verifikimet përkatëse”.
Familjarët u shprehën në një prononcim për median para prokurorisë se edukatorja ka thënë se në momentin që familja ka shkuar në spital, ishte ende gjallë, por doktorët kanë konstatuar të kundërtën. Kopshtet publike dhe private kontrollohen nga Ministria e Arsimit.
Fraksion.com