AktualitetBota+Të fundit

SHBA i bën thirrje Rusisë për ulje tensionesh

Përpara takimit me Rusinë, SHBA i kanë kërkuar Rusisë të ndërmarrë hapa për qetësimin e konfliktit në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken ka zbutur pritjet për negociatat.   

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka bërë thirrje Rusisë që të ulë tensionet në krizën në Ukrainë, përpara negociatave të rëndësishme javën e ardhshme. Është e vështirë të përparosh “në një atmosferë të përshkallëzimit me pistoletën në kokën e Ukrainës”, tha Blinkeni për CNN. “Pra, nëse vërtet duam të bëjmë përparim, duhet të shohim ulje tensionesh.”

Këtë të hënë (10.01.), përfaqësuesit e SHBA dhe të Rusisë do të negociojnë në Gjenevë. Një takim i Këshillit NATO-Rusi është planifikuar për të mërkurën në Bruksel – i pari në dy vjet e gjysmë. Më pas, diskutimet do të zhvillohen të enjten në Vjenë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Blinken nuk beson në “kthesë”

Blinkeni i zbuti pritjet për negociatat. “Unë nuk mendoj se do të shohim elementë kthese javën e ardhshme,” tha ministri. “Ne do të jemi në gjendje t’i vendosim gjërat në tryezë. Rusët do të bëjnë të njëjtën gjë, si drejtpërdrejt me ne ashtu edhe me NATO-n dhe OSBE-në.” Më pas do të shohim nëse ka ndonjë mundësi për të ecur përpara.

Nga këndvështrimi i SHBA, për negociatat vlen parimi i reciprocitetit, vazhdoi Blinken. Çdo hapi që hedhin Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, Rusia duhet t’i përgjigjet. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, për negociim nuk janë as tërheqja e trupave amerikane nga Evropa Lindore dhe as një premtim për moszgjerim të NATO-s.

USA Washington | Außenminister | Antony BlinkenAntony Blinken

Fronte të ngurtësuara

Nga pala ruse, bisedimet e ardhshme do të drejtohen nga zëvendësministri i Jashtëm Sergei Rjabkov. Sipas RIA-s, ai tha paraprakisht se ishte shumë e mundur që diplomacia të merrte një fund të papritur pas vetëm një takimi.

Pala amerikane gjithashtu kishte zbutur tashmë pritshmëritë në lidhje me bisedimet. “Ne shkojmë në këto diskutimeve me realizëm dhe jo me optimizëm”, tha një përfaqësues i qeverisë amerikane gjatë një bisede telefonike me gazetarët.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman sipas planit është takuar me Riabkovin pas mbërritjes së saj në Gjenevë të dielën në mbrëmje për një bisedë të parë paraprake.

Takimi zyrtar i së hënës duhet të pasohet të mërkurën nga takimi i parë i Këshillit NATO-Rusi në më shumë se dy vjet në Bruksel. Diskutimet në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) janë planifikuar më pas për 13 janar në Vjenë.

Konflikti acarohet prej javësh

Situata është e tensionuar prej javësh. Rusia ka mbledhur rreth 100.000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën. Qeveria e Kievit dhe vendet perëndimore kanë frikë se kjo do të shërbejë për të përgatitur një pushtim rus të Ukrainës.

Qeveria ruse mohon çdo qëllim agresiv, por ka bërë kërkesa të gjera. Përveç moszgjerimit të NATO-s, pjesë e tij është edhe tërheqja e armëve sulmuese nga rajoni. Qeveria ruse parashtroi kërkesat e saj në një projekt-marrëveshje sigurie që i dërgoi NATO-s./DW

 

Fraksion.com