AktualitetPolitikëTë fundit

Lirimi i të akuzuarve për nxjerrjen e të dhënave, Alibeaj: Po mbrohet krimi zgjedhor

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj reagoi sot ndaj vendimit të gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve.

Sipas Alibeaj, “kjo është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve”.

“Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt të Edi Rames dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur. Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve”, tha ai.

Sipas tij, “të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet”.

“Shqiptarët e kanë të qartë se krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale”, tha ai.

 

Fraksion.com