AktualitetTë fundit

I shpëtoi atentatit në Fushë-Krujë; Çfarë deklaroi Gentjan Bejtja në polici? Shoqërohen disa persona

Gentjan Bejtja, i cili shpëtoi nga atentati i një nate më parë në Fushë Krujë ka deklaruar se nuk i njeh autorët.

Sipas tij ai është goditur nga mbrapa dhe ka qenë errësirë në momentin kur është përballur me autorët.

“Ishim në Fushë-Krujë e po ktheheshim në shtëpi. Na doli në rrugë një makinë e zezë që qëlloi në drejtimin tonë. I dhamë makinës gaz që të shpëtonim nga plumbat. Nuk e pamë kush na qëlloi, vetëm dëgjuam breshërinë e plumbave. U shmangëm sa mundëm për të shpëtuar. Nuk i pame kush ishin se dolën nga errësira e na qëlluan”, mësohet të ketë thënë Bejtja.

Disa persona janë shoqëruar në polici, si të dyshuar për atentatin.

Gjatë atentatit të djeshëm mbetën të plagosur 41-vjeçari Betja bashkë me Klodian Stafukan, të cilët u paraqitën për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pasi atentatorët plagosën në krah Bejtjan, mjeti që drejtohej nga vetë doli nga rruga.

Të plagosurit janë të njohur për policinë, veçanërisht Bejtja, një nga personat e hetuar për  vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Së bashku me Enver Stafukën, person që u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur, Gentjan Bejtja është arrestuar për vjedhjen e automjetit që u dyshua se u përdor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Mjeti u vodh pranë një pastiçerie në një nga rrugët më të populluara të Durrësit, ”Aleksandër Goga”, pranë drejtorisë së policisë.

Në shtator të vitit 2016, Bejtja i shpëtoi një shpërthimi me lëndë eksplozive në mjetin e tij ku mbeti i plagosur.

Së bashku me Enver Stafukën, Bejtja mori pafajësinë nga Gjykata e Durrësit, për mungesë provash si autorë të vjedhjes së mjetit të përdorur në vrasjen e komisarit në Tiranë në vitin 2013.

15 muaj pas këtij vendimi të Gjykatës dhe dy  vjet pas vrasjes së Lamajt, në shkurt të 2015-s, Stafuka u rrëmbye nga persona të paidentifikuar dhe ngjarja mbetet ende e pazbardhur.

 

Fraksion.com