AktualitetTë fundit

Fëmija iu mbyt në kopsht; Nëna: Më gënjyen, shkoi i pajetë në spital, ka kamera sigurie

Familjarët e 3-vjeçarit që ndërroi jetë 2 ditë më parë, në kopshtin privat “Flatrat e dijes” në Fier nuk kanë gjetur paqe! Ajo që ua rëndon edhe më shumë dhimbjen është mashtrimi që i ka bërë edukatorja Redina Binjaku, e cila i ka thënë se djali ishte mirë, por në fakt ai ishte dërguar i pajetë në spital. Mes lotëve, nëna Donalda Kodheli ka gjetur forcën për të kërkuar drejtësi për humbjen e djalit, për këtë sot është drejtuar drejt Prokurorisë së Fierit për të takuar prokurorin e çështjes, por nuk e ka gjetur aty. Ajo ka rrëfyer se ka qenë doktori ai që u ka treguar të vërtetën, se djali kishte ardhur pa shenja jete.

“Më kanë marrë mua të parën në telefon dhe më kanë thënë është mbytur me litar të bluzës dhe më kanë thënë është në gjendje të mirë dhe është përmendur dhe kur unë kam  vajtur në spital më kanë thënë është në sallë të operimit. Në momentin që unë u kam thënë pse është futur në sallën e operimit, doktori ka ardhur dhe më ka thënë se fëmija ka ardhur pa jetë”, tha nëna.

Dhimbja shtohet edhe më shumë nga fakti se sot kopshti është hapur.

“Sot ky kopshti është hapur, vetëm për shpirtin e atij engjëlli s’duhet ta kishte, kopshti është hapur, nuk dua asgjë tjetër vetëm të drejtën e djalit tim”, tha nëna.

Dyshimet për mënyrën se si ka vdekur fëmija bëhen edhe më të forta sepse edhe personi që ishte futur si ndërmjetës mes familjeve “u ka dalë” nga fjala e dhënë. Daja shprehet se kërkojnë drejtësi nga Gjykata, pasi për vetëgjyqësi thonë se e kanë të lehtë, por nuk duan ta bëjnë.

“Na sollën një Vangjel Ndreko si ndërmjetës ,nuk isha dakord që ai të vinte si ndërmjetës se nuk do më mbante fjalën, ndërhyri kryeplaku i fshatit, jemi njerëz të bashkëpunojmë, Unë i thashë je i garantuar, dua vetëm diçka vendi ku është varur fëmija “a ka kamera”. Ai më thotë “ Po vendi ku u është varur fëmija ka kamera, dhe nëse nuk ka kamera ku vend, por survejohen të gjitha lëvizjet nga kamerat na ka thënë”, pa që gjithë vendi ku ka lëvizur fëmija ka kamera. Nuk mund të hedhësh baltë para fëmijës dhe hajde përballu a e ke thënë këtë fjalë apo jo. Ne nuk jemi vrasës, duam të na zbardhin të vërtetë, s’është problem për të ngritur një armë, ne nuk jemi vrasës, se këta prokuror po na hiqen shumë trima, ne na ka humbur një fëmijë dhe duam që të na zbardhet si ngjarje”, tha daja.

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në Kopshtin ‘Flatrat e dijes’ në Fier mund të zbulojnë gjithçka ndodhi që solli vdekjen një 3 vjeçari. Ekzistenca e kamerave të sigurisë ka qenë objekt debatit ku ka qenë daja e 3-vjeçarit që ka thënë se nga përfaqësues të kopshtit fillimisht i janë premtuar pamjet, por më i është thënë se nuk ekzistojnë. Fotot e siguruara nga Report Tv tregojnë se kamerat ekzistojnë dhe nuk kuptohet arsyeja se pse fshihen nga pronarët e kopshtit. Nga ana tjetër, nga një vëzhgim i bërë nga Report Tv, në asnjë nga klasat nuk vihet re varësja e rrobave, ku pretendohet se është mbytur djali.

Gjithashtu, ajo që vihet re është se në këtë kopsht klasat janë me shumë fëmijë. Një edukatore i duhet të kujdeset për një grup të madh fëmijësh, duke shtuar dyshimet se tragjedia mund të ketë ardhur si pasojë e neglizhencës dhe moskujdesjes. Lidhur me këtë ngjarje, në pranga ka rënë edukatorja e kopshtit, Redina Binjaku, 27 vjeçe dhe nesër do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Nga sa është raportuar më herët, 3-vjeçari ka tentuar të marrë çantën dhe i ka ngecur kapuçi i xhupit në varëse e për pasojë është mbytur, e megjithatë vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen.

 

Fraksion.com