AktualitetPolitikëTë fundit

Sulmi në PD, Basha: Sot ndarja përfundimtare me Berishën dhe berishizmin

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, deklaroi në mbrëmje se dita e sotme shënoi “ndarjen përfundimtare me Sali Berishën dhe berishizmin”. Këto komente ai i bëri ndërsa më parë shoqëroi mediat në mjediset e shkatërruara të selisë nga sulmi i mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha.

“Në një ditë si kjo, pa diskutim Sali Berisha i ka bërë kësaj partie dëmin më të madh, ndonëse në këto 30 vite jo të vetmit, por po kështu i ka dhënë demokratëve mundësinë më të madhe për t’u shkëputur një herë e mirë nga trashëgimnia e tij”, – u shpreh zoti Basha, duke shtuar se se “sot Sali Berisha ka kryer punë me Partinë Demokratike dhe me demokratët. Se është rikthyer në shtratin, nga i cilin buroi, e bolshevizmit, e dhunës, e mashtrimeve, e propagandës dhe si i tillë nuk përfaqëson më, më të keqen e kësaj partie, por përfaqëson atë që kjo parti e ka lënë pas sot e tutje”.

Kryetari demokrat deklaroi se “një grup i ngushtë kriminelësh, trafikantësh, njerëz me precedentë penal, të armatosur dhe të përgatitur për të dhunuar shtëpinë e demokratëve, duke vënë në rrezik jetët e demokratëve, brenda dhe jashtë selisë me një plan të mirëmenduar dhe të ekzekutuar dhe të frymëzuar nga Sali Berisha”, duke shtuar se ish kryeministri dështoi në planin e tij “të zaptimit të shtëpisë së lirisë, të gjakderdhjes dhe shkaktimit të viktimave”. Sipas tij “i vetmi arkivol, që doli sot nga selia e PD-së ishte arkivoli politik i Sali Berishës”.

Kryetari demokrat u shpreh mirënjohës ndaj punonjësve të policisë, që ndërhynë, duke shmangur një kthesë të rrezikshme në të cilën po rridhnin ngjarjet në selinë e PD-së, por lëshoi akuza ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, vendosën të ndërhyjnë me shumë vonesë. “Drejtuesit e tyre treguan se janë vegla dhe instrumente politike të partisë-shtet. Me urdhër të Edi Ramës, ata pritën 1 orë e gjysëm pas lëshimit të deklaratave nga kancelaritë perëndimore, nga ambasadat perëndimore. U përdorën si një instrument politik”, – tha zoti Basha.

Nga ana tjetër, policia u vu në qendër të sulmeve dhe nga zoti Berisha, i cili paralelisht me zotin Basha organizoi një konferencë shtypi. Sipas ish kryeministrit Berisha, forcat e policisë “përdorën sasi të mëdha gazi që tejkalonin çdo lloj limiti”. Ai shtoi se afro 40 persona, sipas tij, janë shoqëruar në komisariate “pa ndonjë motiv”.

Zoti Berisha po ashtu akuzoi kryetarin Basha se kishte angazhuar në seli njerëz të inkriminuar që përdorën dhunë ndaj protestuesve demokratë e po ashtu se kishte lidhje direkte me kryeministrin Edi Rama. “Ne nuk jemi në betejë për një zyrë. Ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizimin politik në Shqipëri. Ne jemi në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme, jetike, në mbrojtje të pluralizmit politik në Shqipëri”, – tha zoti Berisha.

Ndonëse protesta u transmetua drejtpërdrejt nga shumë televizione, ish kryeministri këmbënguli se protestuesit nuk kishin ushtruar dhunë, duke i justifikuar veprimet e tyre me faktin se “pa hapnin dyert e shtëpisë së tyre”. Sipas tij, “protesta e demokratëve ishte krejtësisht paqësore. Kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. Protesta i hapi dyert dhe protestuesit treguan guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi” – tha zoti Berisha, duke përsëritur se protestat do të vijojnë.

 

Frakson.com