Flamur Noka nga Komisariati i policisë: Lironi protestuesit, akuzohen për 6 vepra se hapën dyert e shtëpisë së tyre! Arrestoni kriminelët brenda selisë
Disa deputetë të grupit të Rithemelimit të Sali Berishës kanë kërkuar nga komisariati nr 1 që të lirohen protestuesit që janë shoqëruar aty. Flamur Noka, i shoqëruar nga Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, tha se protestuesit nuk kanë bërë asnjë dëm, por vetëm kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre.
“Asnjë faj dhe asnjë dëm nuk kanë bërë. Thjeshtë dyert e mbyllura i kanë hapur dhe ky nuk quhet faj, kanë hapur dyert e dritaret e shtëpisë së tyre. Edi Rama sot tregoi se është kryetar i opozitës. Janë rreth 20 të ndaluar nga dita e sotme sepse hapën dyert e selisë. Dyer dhe dritaret që i kishin mbyllur dhe i hapën. I bëj thirrje të ndalojmë këto lojëra. Në Shqipëri nuk mund të ketë opozitë të emëruar. Do të ketë një opozitë që duhet të përfaqësojë demokratët”, tha Noka.
Noka tha se është e pakonceptueshme që demokratët të akzuohen për 6 vepra penale vetëm pse tentuan të hynin në shtëpinë e tyre, ndërsa shtoi se policia duhet të arrestonte kriminelët që ishin brenda PD.
“Lironi demokratët e lirë që duan të hyjnë në shtëpinë e tyre, por le të arrestojë bandat e armatosura brenda selisë.Sot ata demokratë që janë të mbyllur atje brenda kanë 6 akuza mbi kurriz. Pse? Se i prishën terezinë pengut të Ramës. Kemi parë gjyqe e arrestime të vrasësve por kurrsesi 6 akuza. Ku e katandisi PD-në pengu i Ramës. Regjimi sot tregoi fytyrën e tij. Banditë brenda selisë duke mbrojtur pengun dhe gardistët. Pse shteti arreston dhe burgos demokratët e lirë dhe nuk arreston bandat brenda selisë? Nuk do t’ia dalin. Të jenë të sigurtë që asgjë nuk do ta ndalë për të kthyer nga bunker në shtëpi lirie”, tha Noka.
Selia blu u kthye në sot skenë krimi, ku policia dhe prokuroria ishin të pranishme pas protestës për të mbledhur provat, sekuestruar kamerat e sigurisë dhe për të marrë dëshmitë e para lidhur me punën e paprecedentë që u zhvillua brenda ambienteve të një partie politike. Policia ka shoqëruar deri tani 50 persona, dhe janë arrestuar 11 persona, mes të cilëve ka demokratë që ishin brenda PD dhe protestues të Berishës.
Fraksion.com