AktualitetPolitikëTë fundit

Deklarata e Bardhit, Policia: Personat që u gjetën brenda selisë së PD, u shoqëruan për t’u pyetur

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, i cili tha mbrëmjen e sotme se disa të shoqëruar po terrorizoheshin nga policia e se mes tyre ishin edhe kryetarët e degëve që dilnin nga selia e PD.

Në reagimin zyrtar, policia deklaron se në selinë e PD janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje.

“Me keqardhje dëgjuam deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, në lidhje me punën hetimore të Policisë që po kryhet për dokumentimin e shkatërrimit të pronës dhe akteve të dhunës të ndodhura gjatë protestës së sotme në selinë e Partisë Demokratike. Sqarojmë opinionin publik se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje”, thuhet në deklaratë.

Policia e Shtetit thekson se do të vijojë me profesionalizëm dhe vendosmëri, veprimet ligjore, për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së sotme dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë janë në terren dhe janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Në një prononcim për gazetarët nga selia e PD, Bardhi tha se “pasi ka përfunduar e gjithë procedura ligjore kanë lënë këtu disa punonjës policie. Unë shkoj fillimisht tek trupa e parë dhe i pyes kush është shefi juaj, më thonë janë zotërinjtë që janë tek dera. Vij tek zotërinjtë që janë tek dera më thonë janë zotërinjtë që janë lart. Dhe dua t’i pyes, çfarë krimi ka bërë kolegu juaj Sokol Turtulli, anëtar i Këshillit Kombëtar, që është shoqëruar në polici. Çfarë krimi ka bërë zoti Grudaj, gjithashtu gazetar, anëtar i Këshillit Kombëtar që është shoqëruar në polici. Çfarë krimi ka bërë kryetari i degës së PD në Durrës, zoti Luan Hoti? A kam unë të drejtë të marr informacion nga zyrtarë të Policisë së Shtetit, pse po ndodh kjo masakaradë me urdhër politik të Edi Ramës”.

 

Fraksion.com