AktualitetTë fundit

Komanda amerikane e operacioneve speciale në Europë me shtab në Shqipëri

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën, SOCEUR ,bëri sot të ditur vendimin për të patur në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale.

Sipas njoftimit “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Kjo vendndodhje, redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, thuhet në njoftimin e Komandës amerikane, duke shtuar se “Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm”.
Siç thekson dhe Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë “aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama e përshëndeti vendimin duke e cilësuar atë si “shprehje e një besueshmërie shumë të lartë dhe një bashkëpunimi shumë të afërt”

SOCEUR, vë në dukje njoftimi, “luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal”
SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien e SHBA-ve me aleatët dhe partnerë, për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulmet.

 

Fraksion.com