“Ftesë për t’iu bashkuar”; Rama poston videoklipin e artistëve për FA
“Fluturoj qiellin tim unë e mbroj. Dashurinë që kjo tokë ma mëkoi. Unë e fal gjakun tim kur vlon, e më thotë ti je shqiptar.”, me një zë, dedikuar Forcave të Armatosura të vendit tonë, Elton Deda, Redon Makashi, Eneda Tarifa dhe Saimir Braho bashkuan forcat për një këngë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar videoclipin, duke shtuar se kjo është edhe një ftesë për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.
Në videon me tekstin dhe pamjet emocionuese, paraqiten ushtarët të cilët me çdo kush, në baltë apo në shi, qëndrojnë “sypatrembur” në krye të trajnimit, ndërsa herë pas here grupit të tyre i bashkohen artistët.
“Mirëmëngjesi dhe me një videoklip të pazakonshëm, si ftesë për t’iu bashkuar Forcave tona të Armatosura, ju uroj një ditë të mbarë.”, shkruan kryeministri.
Kush mund të bëhet pjesë e FA?
Pjesë e këtij procesi mund të bëhet çdo i ri nga mosha 18 vjec deri në 27 vjeç, që nuk ka probleme me ligjin, që ka një figurë të pastër morale, që nuk është person i dyshuar, i padëshirueshëm, i evidentuar dhe implikuar nga organet e zbatimit të ligjit për veprimtari të kundraligjshme apo kriminale. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes janë publikuar të gjitha kriteret që kërkohen për procesin e rekrutimit, ku përcaktohet edhe kalimi i tre testeve; ai fizik, intelektual dhe psikologjik që do të kryhet në faza të caktuara.