Shërbimi Postar i SHBA-ve kërkon përjashtim nga rregullat e vaksinimit dhe testimit për Covid-19
Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara i ka kërkuar administratës së Presidentit Biden përjashtim të përkohshëm nga rregullat e reja të vaksinimit dhe testimit për 650,000 punonjësit e saj, duke paralajmëruar se ato mund të kenë pasoja potencialisht “katastrofike”.
Zëvendës drejtori i postës amerikane, Doug Tulino, përmes një letre të datës 4 janar, të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, i kërkoi Administratës së Mbrojtjes së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) të shtyjë me 120 ditë afatin që Shërbimi Postar për respektimin e rregullit të agjencisë për vaksinimin dhe testimin për bizneset e mëdha, që prekë më shumë se 80 milionë punëtorë amerikanë.
Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara, një nga punëdhënësit më të mëdhenj civilë amerikanë, thotë se nuk mund të jetë në gjendje të zbatojë rregullat bazuar në afatet aktuale dhe po përballet me kërkesa ligjore që kërkojnë kohë për të përdorur dhe mbledhur informacionin mjekësor dhe për negociatat kolektive me punonjësit e përfaqësuar nga sindikatat lidhur me këtë çështje.
Posta amerikane përmendi gjithashtu mungesën e personelit adekuat dhe thotë se do t’i duhet të trajnojë “dhjetëra mijëra mbikëqyrës dhe menaxherë vendas” për të kontrolluar nëse punonjësit po respektojnë apo jo rregullin e vaksinimit ose testimit për Covid-19.
Shërbimi postar amerikan ka kërkuar miratim paraprak për të vazhduar punën bazuar në politikat aktuale kundër COVID-19, ndërkohë që kërkesa e tij është duke u shqyrtuar. Shërbimi Postar amerikan ka 30,000 zyra në vend.
“Ne sugjerojmë me respekt se vendi nuk mund të përballojë dëmin e mundshëm të madh shtesë që do të shkaktonte mbi aftësinë e Shërbimit Postar për të dërguar postën dhe pakot në shtëpitë dhe bizneset amerikane rregulli për vaksinimin dhe testimin”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara.
Shërbimi Postar nuk mbulohet nga rregullat e veçanta të Presidentit Bidenit, të cilat e bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për 3.5 milionë punonjësit federalë, që hyri në fuqi më 22 nëntor.
Shërbimi Postar paralajmëroi se rregulli ka të ngjarë të rezultojë në humbjen e “shumë punonjësve”.
OSHA nuk komentoi menjëherë çështjen. Standardi i Përkohshëm i Emergjencave (ETS) i lëshuar në nëntor kërkon që punonjësit në organizatat me më shumë se 100 punonjës të vaksinohen ose testohen çdo javë dhe t’u nënshtrohen detyrimit strikt të vënies së maskës. Muajin e kaluar, një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuar riktheu rregullin që e bën të detyrueshëm vaksinimin për bizneset me mbi 100 punonjës.
Gjykata e Lartë të premten do të dëgjojë argumentet për këtë çështje.
OSHA zgjati kohën e zbatimit të këtij rregulli muajin e kaluar, duke thënë se nuk do të ndëshkonte bizneset që e shkelin atë përpara datës 10 janar./VOA
Fraksion.com