AktualitetLife StyleTë fundit

“Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut”; Dosja sekrete me përgjime: Bashkëpunëtorit ‘Butrinti’ iu la detyrë që të shikojë se si reagon Xhaviti…

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Pjesa e dyzetë e dy

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit me shërbim në burgun e Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga disa prej të burgosurve që vuanin dënimin në burgun e atij qyteti

Marrë nga P. O. V. Kuka

Dhënë nga B.p. “Butrinti”

Burrel, 1.7.1982

XHAVITI

R A P O R T

Ai njofton se në lidhje me përbërjen e qeverisë, pati këto shprehje nga të dënuarit në Repartin 321 në Burrel:

Vaskë Gjino, në një rast gjatë ajrimit tha: “Në fotografitë e botuara, nuk ma zuri syri kryetarin e Gjykatës së Lartë”?

Rrahman Parllaku, vazhdoi: “Nuk e pashë as unë, e kjo s’do të thotë as kështu dhe as ashtu. Para pak ditëve ishte i deleguar në festën e Kurveleshit. Ai ishte në një post ku ka pasur mjaft ndërhyrje. Di që i ka pas përballuar, duke marrë edhe pëlqimin e udhëheqësit të Partisë. Po si ai ka qëndruar, nuk e di…”!

Kiço Ngjela, thotë: “Jo pa tendencë, janë botuar dy herë radhazi fotografitë e ish ministrit të Financave dhe të ish-ambasadorit tonë në Kinë. Në adresë të tyre mund të ketë fjalë. Fotografitë janë një përgjigje”.

Në lidhje me Konferencën e Etnogjenezës Shqiptare, ka pasur këto shprehje:

Xhavit Qesja, tha: “Kanë ardhur shumë personalitete, studiues të vendeve të tjera. Janë profesorë. Kjo na nderon dhe gëzon. Tani të bëjmë çmos që me anën e kujdestarit të sigurojmë çka është botuar dhe do botohet. Në u vonofshim, do i humbasim, prandaj të lutem interesohu. Nga Lindja, kanë ardhur vetëm studiues rumunë, bullgarët mungojnë. Janë të interesuar, po, veç të tjerave, ndoshta u hakmorën për atë që kryetari i Akademisë sonë të Shkencave, nuk pranoi para dy tre vjetëve, titullin që i dha Akademia e Shkencave e Bullgarisë, duke e shpallur anëtar nderi”.

Lipe Nashi, tha: “Hazbi Lamçe, kërkonte dhe nuk gjente dot emrin e Sami Muhametit. Arriti e më pyeti si e quajnë atë që ka qenë ambasador në Itali, nga fshati jot”. I thashë jo, s’ka qenë ambasador, por këshilltar për çështjen ekonomike. U qetësua, shkoi dhe hodhi një raport”.

Duke marrë shkas nga kjo, Kiço Ngjela tha: “Për Sami Muhametin, e Petro Takun, kam shkruar e biseduar në hetuesi. Për të dy këta, udhëheqësi i Partisë ka pas bërë një shënim “të dyshimtë”. I dyti u procedua e u dënua. Ishin mvartës. I kam pas njohur si njërin dhe tjetrin. Veç një gjë më ka bërë përshtypje, që qysh kur isha në hetuesi. Shumë përpjekje kanë pas bërë hetuesit për rehabilitimin e Sami Muhametit.

I lozën të gjithë gurët, të hiqja dorë nga deponimet e mija. Nuk u tërhoqa. S’di ç’është bërë me ta. Tani e kam të qartë psenë? Sepse Feçori me Saminë, ishin sa kushërinj, aq dhe shokë të ngushtë. Një lidhje e veçantë.

Po hetuesit ishin të lidhur me Feçorin. Një nga pikat ku u kundërvumë, ishte edhe ajo e peshqesheve. Sami Muhamameti, s’kishte lënë udhëheqës nga ata që njihte, pa peshqeshe, përfshi, edhe Mehmet Shehun. Po edhe këtë fakt nuk donin ta evidentoja”.

“Butrinti”

Sqarim; Vaskë Gjino dhe Xhavit Qesja, janë të dënuar anti-parti dhe ndiqen nga ana jonë në përpunim aktiv 2/A si të tillë.

Rrahman Parllaku, Kiço Ngjela dhe Hazbi Lamçe, janë të dënuar si anti-parti, kemi të dhëna në ngarkim të tyre se zhvillojnë aktivitet armiqësor.

Vlersimi: Raporti ka vlera operative në të dalin reagimet e elementit anti-parti për zhvillimin e punimeve të Kuvendit Popullor, të Konferencës së Etnogjenezës Shqiptare dhe për veprimtarinë armiqësore të armikut Mehmet Shehu dhe pasuesve të tij.

Detyra: B.p. ju dha detyrë që të bisedojë përsëri me këtë të dënuar, lidhur me veprimtarinë armiqësore të armikut Mehmet Shehu dhe të pasuesve të tij, nëse kanë pasur dijeni për këtë veprimtari, në kanë dijeni për lidhjet e tyre, kush e ku gjenden, çfarë veprimtarish armiqësore kanë kryer. Pse interesohet kaq shumë Hazbi Lamçja për Sami Muhametin, çfarë relatash ka pasur me të më përpara, si janë lidhur etj.

Masat Operative: Raporti të studiohet nga udhëheqja e Degës. Të shtypet sipas implikimeve, një kopje t’i dërgohet Drejtorisë së parë në Ministri.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit në burgun e Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga disa prej të burgosurve që vuanin dënimin në burgun e atij qyteti

Marrë nga P.Op. V. Kuka

Dhënë nga B.p. “Butrinti”

Burrel. 2.9.1982

R A P O R T

Ai njofton se Xhavit Qesja, ndryshe nga herët e tjera, sigurisht lidhur me çka bluan në kokë, mblodhi librat e deri e fjalorin dhe i vendosi në një vend që ia tregoi Lipe Nashit. Kësaj radhe nuk bëri asnjë porosi, nuk e mirëpriti që nëna i dërgoi para dhe i tha atij: “I kam shkruar që të mos më dërgoi para. Kjo më irriton”.

Pastaj sot e vura re se si më provokoi Kamberi. Nuk i kam kërkuar t’i bëhet vonë. Pse më fyen? Nuk arrita t’i them se i kam shkruar arsyet pse nuk ha. Desha t’i them. S’më priti e s’më dëgjoi. Herën tjetër komandanti më tha nuk dua të di çfarë i ke shkruar udhëheqësit të partisë. Kjo është e drejta tënde, po kështu të gjykojnë të gjithë. Si thua ti”?

Ai i tha: “Kjo është çështja tënde. Emrin ja ke vënë vetë grevë, k/vënie ndaj pushtetit, ligjit, komandës. Të njëjtat fjalë nuk thuhen nga njerëz të ndryshëm. Po të gjithë e dënojnë qëndrimin tuaj, bile dhe këtu Xheviti heshti.

“Butrinti”

Sqarim: XHavit Qesja është i dënuar si anti-parti dhe ndiqet nga ana jonë si i tillë në përpunim aktiv 2/A. Ka disa ditë që ka shpallur grevën e urisë, sepse i ka dërguar disa letra udhëheqjes dhe nuk i është plotësuar kërkesa për izolim më vete, heqjen nga komplotistët dhe puçistët dhe shurdhim e verbim nga shtypi.

Detyra: B.p. ju dha detyrë që të mësojë arsyen e vërtetë të shpalljes së grevës së urisë nga Xhavit Qesja. Pse ky kërkon shurdhim e qërim, çfarë do të arrijë me grevën e urisë. Çfarë marrëdhënies ka me të dënuarit e tjerë anti-parti, me cilin nga këta ka më shumë afrimitet, si reagon për vetëvrasjen e armikut Mehmet Shehu, mbasi në drejtim të këtij i adresonte gjithmonë letrat.

Masat Operative: E dhëna të studiohet nga drejtuesit e Degës. Të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen formulare.

Të bisedohet me komandën e repartit që personeli i shërbimit të sillen me korrektësi ndaj të dënuarave dhe të mos flasin fjalë të pakontrolluara, dhe të mos u japin shkas që të shqetësojnë udhëheqjen e Partisë për veprimet tona të pamatura.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Dakord me detyrat dhe vlerësimin

P.Op. Bekim Budo

6.9.1982

Zv/kryetari i Degës

U pa. 7.9.1982

Shënim: Dakord me masat e parashkruar dhe detyrat që i ke dhënë B.p.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

8.9.1982

Dokumenti me relacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, i miratuar nga Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Hysen Dema, lidhur me vijë-sjelljen dhe përgjimet e survejimet ndaj të dënuarit Xhavit Qesja

“Sekret”

Ekzemplar i vetëm

Burrel, më 12.3.1983

R E L A C I O N

MBI ZHVILLIMIN E MBI REALIZIMIN E DETYRAVE TË NGRITURA NË PLANIN E MASAVE AGJENTURORE-OPERATIVE NË DREJTIM TË OBJEKTIT XHAVIT QESJA

Detyrat e planit të masave agjenturore-operative të datës 24.11.1981, në drejtim të objektit të përpunimit aktiv 2.A Xhavit Qesja, i cili ndiqet si element antiparti për agjitacion e propagandës armiqësore, janë realizuara si më poshtë:

Është drejtuar me vijë sjellje B.p. “Butrinti”, i cili ka dhënë në drejtim të objektit për aktivitetin armiqësor që zhvillon në radhët e të dënuarve të tjerë. Ka dhënë lidhjet e objektit në këtë repart. Po ashtu del se objekti kohët e fundit është tërhequr në vetmi dhe vetëm në raste të rralla dhe me persona të veçantë bisedon.
Në drejtim të objektit është drejtuar me vijë sjellje Bp. “I penduari”, i cili ka dhënë në drejtim të tijë, për aktivitetin armiqësor që zhvillon në radhët e të dënuarave të tjerë, ka dhënë për lidhjet e tij në këtë repart. Akoma nuk është bërë e mundur të mësohet se nga kush e poret lirimin nga burgu.
Nuk është bërë kombinacion me T.O. ndërmjet objektit dhe të dënuarit antiparti Kiço Ngjela, sepse objekti ka qenë i sëmurë dhe nuk është parë e arsyeshme që të izolohet në dhomat e izolimit. Mundësi tjetër për t’u kryer ky veprim akoma nuk është krijuar.
Është kontrolluar nga ana e komandës duke asistuar edhe Punëtori Operativ, shënimet, përkthimet, korrespondenca dhe literature që ka objekti dhe nuk është gjetur ndonjë material komprometues në ngarkim të objektit.
Janë kontrolluar dhe asistuar korrespondenca dhe takimet që ka zhvilluar objekti me lidhjet e tij jashtë burgut dhe është konstatuar se deri tani si objekti dhe lidhjet e tij jashtë repartit nuk i ka shfrytëzuar këto kanale për të zhvilluar aktivitet armiqësor ose për të shkëmbyer parulla ose sinjale për t’u ndërlidhur me jashtë burgut.
Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Puëntori Operativ./Memorie.al

Hysen Dema Vehap Kuka

Vijon numrin e ardhshëm

 

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

 

Fraksion.com