Fatos Lubonja rrëfen takimin me George Soros në Nju Jork më 1997-ën: Ishte kurioz për “piramidat”
Në një lidhje me “Skype” në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, analisti Fatos Lubonja rrëfeu dy takimet me multimiliarderin George Soros.
Lubonja tregoi se takimi i parë me Sorosin ka qenë në Nju Jork, në vitin 1997, ku siç u shpreh analisti, miliarderi e ka pyetur si fillim për skemën e piramidave në Shqipëri, dhe më pas për fondacionin e tij dhe si po ecte ai në vendin tonë. Ndërsa takimi i dytë, sipas Lubonjës, ka qenë në vitet 2000, kur Sorosi kishte ardhur në Shqipëri.
“Jam më në gjendje të flas për Sorosin si fondacion, si politika, ndërsa sa i përket Sorosit vetë, unë e kam takuar dy herë dhe nuk mund ta quaj bashkëpunim. Takimin e parë e kam pas në Nju Jork, më 1997, kur kishte rënë shteti ynë me piramidat, mora një çmim atje dhe më thanë që më kërkonte Sorosi për të më takuar. Arritëm te zyra e tij dhe patëm një bisedë. Ishte njohje e parë, ishte në një zyrë që çuditërisht nuk kishte asgjë, vetëm një tryezë. Ishte pak kurioz për piramidat, pastaj u interesua edhe për fondacionin, se si ka punuar ai në Shqipëri. Unë i bëra një metaforë, se isha i pakënaqur me fondacionin, sepse mendoja se duhet të ishte më agresiv ndaj pushtetit, që në atë kohë ishte Berisha. I thashë se ka punuar si një fuçi gjysmë plotë, gjysmë bosh, por e rëndësishme është që të qëndrojë mbi ujë, të jetojë.
Më bëri përshtypje, se ai tha se i pëlqen kjo ideja e fuçisë, që të qëndrojë mbi ujë. Ngela pak i zhgënjyer. Ai më tha se pakënaqësitë që kisha unë, ja kishte shkruar Edi Rama me një letër në atë kohë. I kishte bërë Rama një letër kundër fondacionit në atë kohë. E vërteta është se ai dinte pak, ose thuajse fare, për Shqipërinë. Tha se donte të takohej me ata që kishim për Shqipërinë, ose për Ballkanin, që të jepte disa detaje më shumë se si të bëheshin punët. Kjo ishte biseda e parë me të. Takimi i dytë ka qenë, kur ka ardhur në Tiranë. Ka qenë më shumë një takim kortezie, dhe nuk kam ndonjë kujtesë të veçantë për të. Ishte koha kur kishin ardhur socialistët në pushtet, ndoshta në vitet 2000”, tha Lubonja.
Fraksion.com