AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Fushë-Krujë: Programi i Rindërtimit unik, s’i ndajmë shqiptarët në të majtë e të djathtë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë-Krujë, ku drita e një jete të re hapet për familjet që kthehen në shtëpi të reja, pas territ që u treti shtëpinë në 26 nëntor të dy viteve më parë.

Në Fushë-Krujë hynë në banesat e reja 244 familje, ndërkohë që Kryeministri theksoi se “Programi i Rindërtimit ka treguar se ne nuk i ndajnë shqiptarët majtas e djathtas”.

Ai kujtoi se “edhe katet, edhe shtëpitë e procesit të rindërtimit janë ndarë me short dhe në një vend kanë pasur fat më të mirë demokratët, në një tjetër socialistët”.

“Këto janë ato momente që të bëjnë të bësh hallall të gjitha mundimet, por edhe të gjitha ato që je i detyruar të mbash në kurriz kur ke nderin të bësh këtë detyrë, gjithë atë baltë, llafe, thashetheme që të shoqërojnë çdo ditë dhe nuk kanë munguar, përkundrazi, edhe në këtë proces”, tha Rama.

Ne ja kemi dalë, vijoi ai, “t’i qëndrojmë pranë afro 50 mijë familjeve. Janë familje që kanë pasur nevojë nis nga një mbështetje minimale për një riparim të thjesht, por që për buxhetin e shtetit shqiptar nuk është edhe aq minimale, deri te familjet që marrin shtëpi të reja falas, pa paguar asnjë qindarkë, me titull pronësie njësoj si ata që i blejnë apartamentet e tyre në Tiranë”.

Rama theksoi se çdo shtëpi është dhënë falas, gjë që e bën unik Programin e Rindërtimit në Shqipëri.

“Ndërkohë çfarë nuk kemi dëgjuar. Në fillim kemi dëgjuar se asnjë gjë nuk do bëhet, që u mblodhën lekët e botës, u futën në një thes dhe thesin e morëm ne e çuam në Surrel. Pastaj kemi dëgjuar se nuk ka mundësi të bëhen falas, se falas nuk i ka bërë askush dhe kjo është e vërtetë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nga të gjitha programet e rindërtimit në vendet rreth e rrotull ku ka rënë tërmet, nuk kemi gjetur asnjë program rindërtimi që të mos jetë me kredi”.

“I ndërton shteti, vë një kontribut të konsiderueshëm, por nuk i jep shtëpitë falas. Çdo familje shteti i jep një kredi të butë, por që janë lekë. Si mund t’i ngarkonim ne familjet me kredi kur një pjesë e madhe e atyre që u goditën nga tërmeti janë familjet më të varfra dhe shtëitë ishin më të vjetra. Është e pamundur ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Rama.

Rama tha se “këto familje në atë moment humbën gjithçka dhe nuk kishin mundësi të ringriheshin vetë, ndaj jam krenar që sot e në vijim, për çdo çelës që jepet, provohet e vërteta”.

“Çdo shtëpi është falas. Ju mund t’i mbani, t’i shisni, jepni me qira si çdo pronar, vetëm se me bravat duhet të bëni kujdes se me kohët që kanë ardhur bravat mund të bllokohen”, tha ai.

Kryeministri kujtoi se “kur kemi ardhur këtu, ishte një fushë dhe nuk kishte asnjë gjë”. “Disa thanë ‘keni shkuar atje të bëni vila për vete’. Këtu është bërë 6 muaj punë për atë që është nën tokë. Kjo është lagje si në çdo vend të Europës me  kanalizime, ujësjellësa dhe gjithë rrjetin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në fund të shpërblen vepra flet vetë dhe fjalët të gjitha i merr era, pavarësisht se deri atëherë duhet t’i mbajë kurrizi”.

“Kur porosit një apartament për ta blerë pret 2 vjet për të hyrë, ndërkohë që ne kemi pasur jo pak probleme për të sistemuar me pronat e me të tjerat. Sot në Laç, akoma në lagjen 2 nuk po arrjmë dot të fillojmë të gjitha pallatet, sepse ka dalë një gjykatë atje që i ka dhënë të drejtë një pronari që ka një dyqan dhe mban peng gjithë lagjen. Në Krujë duhej sistemuar gjithë prona duke bashkuar copat dhe tani ka filluar puna në lagjen e re me 9 pallate”, tha Rama.

Kryeministri tha se “në 2 vjet, u fut në mes edhe pandemia dhe u bllokuan punët. Ne kemi angazhuar 400 kompani shqiptare, por edhe arkitektë të huaj që kanë punuar pa pagesë. Kjo lagje si planimetri është projektuar nga një prej studiove më të mira holandeze”.

Kryeministri tha se sot ende 100 familje qëndrojnë në çadra, por kjo ndodh, sepse kanë tokën e bagëtinë, ndërkohë që po marrin bonusin e qirasë.

“Në Itali prej 15 vitesh ka raste që presin shtëpinë në kabina e rulota. Kjo nuk do të thotë se ne jemi më të zotët, por se ne i kushtuam këtij programi gjithçka. Nuk ka pasur një ditë të vetme që unë nuk marr informacion për tullat e reja që vihen. Sepse është fat dhe bekim të shohësh gjithë këto familje që hyjnë në shtëpi dhe thonë Gëzuar Vitin e Ri, duke mos kthyer kokën mbrapa për të mos menduar si do ta paguajnë kredinë nesër. Sot këto familje kanë një bazë të re për vazhduar jetën. Shprehja ‘nuk do ju lëmë kurrë vetëm’ nuk është parrullë. Ne nuk i kemi ndarë njerëzit majtas e djathas. Madje, kryetari i një dege të PD-së mori 4 shtëpi nga Rindërtimi, sepse ishin 4 kurora”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi mësuar shumë nga ky program dhe tani jo vetëm do mbulojmë gjithë plagët e tërmetit, por do të angazhohemi në një program kombëtar strehimi për familjet në nevojë për strehim dhe për çiftet e reja, në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës të atyre që janë në pamundësi për t’i blerë vetë shtëpitë me ato çmime që po rriten, sidomos në Tiranë, e qytetet kryesore”.

Ahmetaj: Në Fushë-Krujë përfitojnë nga Rindërtimi mbi 5 mijë familje

Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj u shpreh se “në Fushë-Krujë sot 244 familje hyjnë në shtëpi të reja falas”.

“Në total janë 49 mijë familje që kanë përfituar nga programi i Rindërtimit. Ky është një program unik, i papërsëritshëm. Ka filluar me dashuri, vrull, maturi, vëmendje dhe shumë punë. Këtu janë 5 mijë familje që përfitojnë nga ky program. Kemi  2010 familje do të marrin shtëpi të re në Fushë-Krujë dhe 2890 familje që kanë marrë grantin e rindërtimit, në para kesh që buxheti i shtetit ja ka dhënë familjeve për të rikonstruktuar shtëpitë e tyre”, tha ai.

Ahmetaj tha se qeveria u ka dhënë në dorë familjeve të dëmtuara 134 milionë dollarë për të rikonstruktuar shtëpitë e tyre.

Po ashtu, sipas tij, “janë 1669 familje që kanë marrë në dorë 44 milionë dollarë për ta bërë vetë shtëpinë, me grantin DS5”.

“Kanë përfunduar 36 pallate. Vetëm në Laç dorëzuam 524 apartamente. Kemi edhe pallate me dëmtime strukturore ku është ndërhyrë thellësisht për rikonstruksionin e tyre. Sot janë 214 pallate të mbaruara DS4 dhe ndërkohë pritet të përfundojnë edhe 171 pallate për 1 ose 2 muaj”, tha ai.

Ahmetaj tha se në 1964 pallate janë rikonstruktuar gjithë ambientet e përbashkëta.

“Viti 2022 sërish është intensiv për rindërtimin. Kemi lagjen ‘5 Maji’, Kombinatin dhe Spitallën në Durrës, ku puna do vazhdojë me intensitet. Janë 37 kantiere të infrastrukturës publike”, tha ai.

Ahmetaj tha se në këtë bashki janë 20 shkolla të reja. “Kaq sa janë ndërtuar këtu në 1 vit e gjysmë nuk janë ndërtuar në 30 vite. Kemi 172 shkolla e kopshte në programin e Rindërtimit dhe 119 milionë dollarë vetëm për shkollat. Nga këto 93 shkolla janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët”, tha ai.

 

Fraksion.com