AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Basha, pjesë e marrëzisë që po e çon PD-në drejt fundit të merituar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Lulzim Basha, është një nga dy anët e një marrëzie që po e çon Partinë Demokratike drejt një fundi të merituar për shkak se është një fund i përgatitur me vite, jo nga unë, as nga ne, as nga ju, as nga ata shqiptarë që e besojnë e votojnë e mbështesin PD-në dhe nga e cila s’kanë përfituar asgjë, por si tifozët e një skuadre futbolli, nuk i ndahen skuadrës së tyre edhe kur ajo nuk fiton kampionatin”.

Në konferencën për shtyp të fundvitit me gazetarët, Rama tha se “pikërisht nga këto dy figura që janë shëmbëlltyra e gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër në përsëritjen e të njëjtës gjë, në kërkim të kotë të rezultateve të tjera. Një forcë politike që nuk ka prodhuar prej vitesh asgjë tjetër përveç se mite fitoresh të vjedhura, sherre të cilat kanë afektuar vendin, rrëmuja që kanë dëmtuar vendin, me një përpjekje për t’u rikthyer në pushtet, pa pasur asnjë kapacitet real për të qeverisur.

Kryeministri Rama tha se “për mua është shumë e qartë s’kam asnjë punë as me njërën as me tjetrën, janë dy burra në një hall të madh dhe askush nuk ua zgjidh dot dhe hallin e tyre e kanë kthyer në hallin e partisë së tyre dhe duan ta kthejnë edhe në hallin e Shqipërisë, por nuk është e mundur kjo gjë”.

Për sa më takon, vijoi Rama, nuk mund të bëj parashikime nuk mund të parathem se çfarë do sjellë e ardhmja, por siç janë gjërat s’kam asnjë arsye përpos dëshirës për t’u marrë as me njërin e as me tjetrin.

“Edhe kohën që më kanë marrë nuk kanë për të ma marrë më, sepse do t’ua jap njerëzve të zakonshëm nuk kam asnjë preferencë, është një marrëzi e ndarë për gjysmë”, tha Rama.

 

Fraksion.com