Rama: Askush s’mund të fshihet pas logos së PS-së, SPAK të mos shohë as majtas e as djathtas
Kryeministri Edi Rama inkurajoi sot prokurorët e SPAK që të mos shohin as majtas as djathtas, por të shohin vetëm drejtë.
Rama gjithashtu u shpreh se, askush nuk mund të fshihet pas logos së PS-së.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, duke folur për reformën në drejtësi, Rama u shpreh se, “dua t’i përshëndes prokurorët e SPAK-ut. Dua t’i inkurajoj që të mos shohin as majtas as djathtas, por të shohin vetëm drejtë. Dua t’i siguroj për mbështetjen e plotë morale nga ana jonë”.
“Dua të rikonfirmoj edhe një herë që kur e kemi nisur reformën në drejtësi, as shumë njerëz brenda nesh nuk besonin se do t’ia dilnim për shkak se kërkonte një ndryshim kushtetues. Bindja ime ka qenë se një gjëje që i ka ardhur koha, asgjë nuk i del përpara. Dhe po ashtu, bindja ime ka qenë dhe mbetet, që nëse ka diçka me një vlerë të rëndësishme historike që mund të bëjë kjo shumicë dhe mund të bëj unë, përsa kohë kam këtë detyrë kaq të lartë dhe këtë nder kaq të madh që të jem në krye të vendit, është hedhja e bazave të një drejtësie të drejtë. Dhe një drejtësi e drejtë, është një drejtësi pa kthesa majtas dhe djathtas”, tha Rama.
“Dhe cilido qoftë, në këtë pjesë të kampit ku unë jam në krye, ka llogari të hapura për t’i trajtuar me drejtësinë, është shumë e qartë që për aq kohë sa llogaritë nuk janë mbyllur me drejtësinë, nuk ka punë fare me ne. Është shumë e qartë”, theksoi Rama.
“Shumëkush e trajton këtë pjesë si diçka për të cilën duhet të shqetësohem, përkundrazi, është e kundërta, komplet. Inkurajohem dhe i inkurajoj deri në fund prokurorët që ta bëjnë punën e tyre pa rezerva, pa asnjë rezervë”, nënvizoi Rama.
“Askush nuk mund të fshihet pas logos së PS-së. Askënd nuk mund ta mbulojmë me flamurin e PS-së. Dhe PS nuk mund të bëhet zyrë avokatie për asnjë. Kush i ka krijuar vetes komoditetin që të përfitojë personalisht nga qëllimet, nga planet, nga punët tona, personalisht duhet të përballet me drejtësinë. S’kam asnjë dyshim për këtë”, theksoi Rama.
Fraksion.com