AktualitetTë fundit

Gjykata e Lartë, Sadushi: Mbi 35 mijë çështje në pritje, numri drejt uljes

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi sot se 35 mijë çështje janë të pashqyrtuara dhe përbën rrezik krijimi i një stoku të ri për shkak të depozitimit të shumë rekurseve të pabazuara.

Në analizën vjetore të institucionit, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sadushi u shpreh se “ne e dimë se çfarë duhet bërë për të dalë nga kolapsi në të cilën e gjetëm këtë institucion, për këtë duhet durim”.

“Gjatë këtij viti u emëruan 6 gjyqtarë ndërkohë që jemi në pritje të 5 të tjerëve. Është gati e pabesueshme por vetëm me 9 gjyqtarë kemi arritur të formojmë 9 trupa gjyqësore me nga 3 gjyqtarë. Kjo ngarkesë ka kërkuar angazhimin maksimal të gjyqtarëve që kryejnë detyrën edhe si pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore. Kjo është situatë e pazakontë për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Ky është viti i ngritjes së qendrës së dokumentacionit. Përshtatja e kuadrit ligjor me  fokus kthimin e Gjykatës së Lartë në një gjykatë ligj dhe shkëputjen e sajë nga praktika e shqyrtimit të fakteve dhe provave kanë sjellë një efekt pozitiv në cilësinë dhe shpejtësinë e vendimmarrjes të cilat prite të japi rezultate edhe më të ndjeshme në vitet në vijim”, u shpreh Sadushi.

Sadushi theksoi se sfida më e madhe e Gjykatës së Lartë mbetet numri i lartë i çështjeve që presin shqyrtimin.

“Gjatë 2021, çështjet e reja të regjistruara janë 2847, ndërsa numri i 35837 mijë çështjeve që pritet të gjykohen është drejt uljes. Numri i vendimeve të marra gjatë 2021 është më i lartë se çështjet e regjistruara. Janë dhënë 3609 vendime. Sfida më e madhe e Gjykatës së Lartë mbetet numri i lartë i çështjeve që presin shqyrtimin. Ulja e numrit të lartë të çështjeve të prapambetura kërkon kohë dhe strategji koherente. Gjykata e Lartë e ka të qartë situatën ku ndodhet dhe ka hartuar një plan veprimi. Paraqitet domosdoshmëri ndryshimi i mentalitetit juridik. Evadimi i çështjeve të prapambetura duhet të pranohet si shqetësim mbi përfaqësimin profesional si të institucioneve publike dhe avokatëve. I kanë të gjitha mundësitë për uljen e këtyre çështjeve. Ka numër të lartë rekursesh të pabazuara që paraqiten në Gjykatën e Lartë. Nevojitet ndërgjegjësimi i institucioneve publike dhe avokatëve se moskalimi i rekurseve është përgjegjësi e tyre. Çështje që kanë si objekt dëmshpërblimin për marrëdhënie të punës apo dëmshpërblime të tjera, janë të papranueshme. janë 5404 çështje ku gjyqhumbës janë organet publike. Një tjetër shqetësim është rreziku i krijimit të një stoku të ri çështjes. Sjelljet e avokatëve mbeten të papërshtatshme me praktikën e konsoliduar të kësaj gjykate. Jo çdo konflikt ligjor duhet ët shkojë në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në Gjykatën e Lartë është gjykim ligji jo fakti dhe ky parim duhet të mbahet parasysh nga të gjithë”, u shpreh ai.

Në lidhje me hartën gjyqësore, Sadushi, e konsideroi domosdoshmëri gjyqësore, efektivitet dhe cilësi.

Ai tha se për një 100 mijë banorë, Shqipëria ka rreth 12.5 gjyqtarë ndërkohë që niveli europian është rreth 25 gjyqtarë.

“Për hartën gjyqësore, unë do i qëndroja idesë që një Gjykatë e vetme Civile në rang apeli është zgjidhja më e pranueshme sepse jemi të mendimit që çështjet konsiderohen të përfunduara në Gjykatën e Apelit. Sot kemi 6 Gjykata Apeli që kanë qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje dhe vetëm me një gjykatë eliminohet ky rrezik dhe është mundësi e mirë për efektivitet në gjykim. Kjo hartë gjyqësore i nevojitet sistemit të drejtësisë. Një hartë gjyqësore që i strukturon institucionet gjyqësore, është zgjidhja me pranueshme. Numri i gjyqtarëve është një problem tjetër. Numri i tyre dhe i prokurorëve duhet të jetë shumë më i larë nga ç’është. Shqipëria në 100 mijë banorë ka rreth 12.5 gjyqtarë ndërkohë që niveli europian është rreth 25 gjyqtarë. Kjo është çështje tjetër që besoj se në mënyrë graduale do e ketë dhe zgjidhjen. Një hartë gjyqësore është domosdoshmëri, efektivitet dhe cilësi”, u shpreh ai.

 

Fraksion.com