Basha: Pastrimi i politikës, përmes një reforme të thellë zgjedhore e vetingut
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “reforma e thellë zgjedhore duke përfshirë dhe Kushtetutën, drejtësia dhe vettingu në politikë janë tre mënyrat përmes së cilave mund të pastrohet politika”.
Në konferencën për shtyp të fundvitit, Basha tha se “viti 2021 ishte një vit i mbrapshtë për shqiptarët”.
“Skandali i nxjerrjes së pagave, konfirmon se më të paguarit janë ato që kanë përfituar koncesione, nuk janë njerëzit që prodhojnë apo ofrojnë shërbime, apo që eksportojnë produktet shqiptare, por janë ata që paguhen me taksapaguesit më të varfër për një aferë korruptive”, tha ai.
Sipas Bashës, “skema e inceneratorëve është skemë kriminale e politikanëve dhe e mafias shqiptare për t’i përdorur një pjesë të parave në zgjedhje dhe për të ndalur ndryshimin”.
“Pastrimi i politikës bëhet përmes 3 mënyrave. Së pari zgjedhjet. Kishim patronazhistët, një konfirmim i partisë-shtet, dhe u konfirmua afera e inceneratorëve. Çlirimi i zgjedhjeve nga rrethimi i shumëfishtë, nuk mund të kryhet vetëm me disa hapa korrektivë, me ligjin e reformës zgjedhore. Kërkohet një reformë e thellë e cila të përfshijë dhe Kushtetutën. Një reformë e tillë kërkon dhe shoqërinë”, tha ai.
Basha theksoi se “ky është një kusht pa të cilin nuk mund të ecet përpara”.
“Kjo është arsyeja kryesore që PD ndodhet në një parlament që nuk përcakton vullnetin e qytetarëve, ku pakica është shumicë jo prej votës së shqiptarëve, por prej masakrës zgjedhore”, tha ai.
Së dyti, Basha tha se drejtësia duhet të bëjë përpara. “Hapat e parë janë inkurajues. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe më shpejt, transparencë brenda kushteve të sekretit hetimor”, tha ai.
Hapi i tretë, sipas Bashës, është vetingu i politikanëve. “Iniciativa jonë nuk është për të larë gojën. Bashkë me Ligjin Antimafia, janë mënyra e vetme për të çliruar Shqipërinë”, deklaroi Basha.
Fraksion.com