AktualitetBota+Të fundit

Izraeli fillon provat klinike për dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19

Izraeli filloi të hënën provat klinike për dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, që besohet të jetë studimi i parë i këtij lloji. Zyrtarët izraelitë po shqyrtojnë mundësinë e vënies në dispozicion të një doze të dytë përforcuese për popullatën e vendit, i cili po përballet me një rritje të infeksioneve me variantin Omicron.

Provat filluan në Qendrën Mjekësore Sheba, pranë Tel Avivit, mes 150 anëtarëve të personelit mjekësor që kanë marrë dozën e tretë përforcuese në gusht.

Të hënën ata morën dozën e katërt të vaksinës Pfizer/BioNTech.

“Shpresoj që doza e katërt përforcuese të ofrojë mbrojtje nga Omicroni, që është shumë e nevojshme, duke patur parasysh valën e pestë të koronavirusit qëjemi duke përjetuar tani”, tha profesor Jacob Lavee pas marrjes së dozës së katërt.

Personeli që kishte marrë dozën e tretë, pas një testimi doli se kishte nivele të ulëta të antitrupave.

“Së pari, ne po planifikojmë të studiojmë reagimin e sistemit imunitar të 150 vullnetarëve, që po marrin pjesë në këtë studim, pas marrjes së dozës së katërt. Pra, se si do të reagojnë antitrupat. Natyrisht, ne do të studiojmë edhe sigurinë e dozës së katërt të vaksinës”, tha profesorja Gili Regev-Yochay, drejtore e Njesisë për Sëmundjet Infektive në Qendrën Mjekësore Sheba.

Provat klinike vijnë në një kohë kur zyrtarët izraelitë po shqyrtojnë shpërndarjen një pakoje të dytë të vaksinave përforcuese për popullatën e vendit, i cili po ndeshet me një rritje të infeksioneve me variantin Omicron.

Izraeli ishte një nga vendet e para në botë që filloi fushatën për vaksinimin e banorëve kundër COVID-19 në fillim të këtij viti. Pak më shumë se 4.2 milionë nga 9.3 milionë banorët e Izraelit kanë marrë dozën e tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Izraeli ka regjistruar të paktën 8,242 vdekje nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë.

 

Fraksion.com